Gjykata e Durrësit ka caktuar masat e sigurisë për tre ish-zyrtaret e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, të arrestuara në kuadër të hetimeve për përvetësimin e 69 milionë lekëve të rinj.
Gjykata vendosi masën “arrest në burg” për ish-drejtoreshën e filialit, Elisabeta Mataj, ndërsa ndaj ish-shefes së financës, Valbona Duni, dhe ish-arkëtares, Paola Dana, caktoi masën “arrest në shtëpi”.
Të treja akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim. Sipas hetimeve të Prokurorisë, gjatë muajve prill dhe maj 2026 ato dyshohet se kanë përvetësuar shumën prej 69 milionë lekësh të rinj.Gjatë seancës gjyqësore, ku Prokuroria kërkoi masën “arrest në burg” për të treja, ndërsa mbrojtja kërkoi një masë më të butë, kanë dalë në dritë edhe deklarata të reja.
Ish-shefja e financës, Valbona Duni, ka deklaruar para gjykatës se paratë e zhdukura nuk i ka mbajtur ajo, por se janë marrë nga ish-drejtoresha Elisabeta Mataj në zyrën e saj.
Nga ana tjetër, Mataj nuk ka dhënë shpjegime për fatin e shumës së munguar. E pyetur nga gjykata se ku kanë përfunduar 69 milionë lekët, ajo është përgjigjur se “nuk e di”.
Sipas hetimeve të Prokurorisë dhe Policisë, shuma e konsiderueshme financiare dyshohet se nuk është arkëtuar në degët e Postës Shqiptare në Shijak dhe Krujë gjatë muajve prill dhe maj të këtij viti.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës, identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë, si dhe për të përcaktuar destinacionin përfundimtar të 69 milionë lekëve të rinj.