Thimjo Rubati ishte mbrëmë shenjestra e një atentati në Sarandë. 50-vjeçari, i njohur edhe me emrin Sandri Rubati, u qëllua me 3 plumba para biznesit të tij nga dy persona të maskuar me skafandra që u larguan me motor.
50-vjeçari Thimjo Rubati është transportuar me urgjencë në Janinë për të marrë ndihmë mjekësore. Raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkaq, atentati ka ndodhur vetëm pak metra larg vendit ku një natë më parë u dhunua oficeri i Policisë Mihal Velço. Për këtë ngjarje dyshohet se janë përfshirë djali i Thimjo Rubatit dhe dy persona të tjerë, të tre me precedentë penalë.
Thimjo Rubati nuk është një emër i panjohur për autoritetet shqiptare. Sipas të dhënave, ai ishte dënuar në vitin 2002 për trafikim të të miturve dhe përdhunim. Ndërkaq, në vitin 2012 është arrestuar për rrëmbimin e një 16-vjeçareje.
Po ashtu, Rubati rezulton i skeduar nga autoritetet edhe për armëmbajtje pa leje, kontrabandë dhe trafikim të mjeteve motorike.