Shqiptari Dorian Puka, i cili po kundërshton deportimin nga Mbretëria e Bashkuar, ka tërhequr vëmendjen pasi publikoi në Instagram një video ku shfaqet duke u dhënë qenve të tij kartëmonedha paund.
Sipas raportimeve të mediave britanike, Dorian Puka, 29 vjeç, është dëbuar dy herë më parë nga Britania pas dënimeve për vjedhje, por është rikthyer në mënyrë të paligjshme në vend. Gjatë 18 muajve të fundit ai ka publikuar në rrjetet sociale video ku shfaq një stil jetese luksoz.
Në një prej videove, Puka shihet i ulur në një kolltuk duke i ofruar kartëmonedha prej 20 paundësh pitbullit të tij, të quajtur Cobra, ndërsa qenit tjetër, një pug me emrin Mouse, i vendos përpara një tufë kartëmonedhash prej 50 paundësh.
Në postime të tjera ai shfaq gjashtë ora Rolex me një vlerë të deklaruar prej rreth 160 mijë paundësh, si dhe automjete luksoze, përfshirë Ferrari dhe një Lamborghini URUS V8 të vitit 2022, me vlerë rreth 180 mijë paundë.
Puka po përballet me një procedurë të tretë deportimi pasi qeveria britanike fitoi një seancë në gjykatën e shkallës së parë për emigracionin, e cila vendosi largimin e tij nga Mbretëria e Bashkuar pas refuzimit të kërkesës për azil. Ai e ka ankimuar këtë vendim.
Për shkak të precedentëve penalë dhe dënimeve me burg, ai plotëson kriteret për deportim automatik nga Mbretëria e Bashkuar. Megjithatë, prej më shumë se tre vitesh ai ka qëndruar në Britani, pasi Ministria e Brendshme nuk ka mundur ta largojë ndërsa procedurat ligjore dhe kërkesa e tij për azil janë ende në shqyrtim.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike deklaroi se autoritetet britanike po bëjnë që është e mundur për të siguruar largimin e tij.
“Ky individ është një shtetas i huaj i dënuar për vepra penale dhe ne po bëjmë gjithçka që është e mundur për të siguruar largimin e tij sa më shpejt të jetë e mundur. Për shkak të proceseve ligjore në vazhdim, nuk mund të japim komente të mëtejshme.
Gati 10 mijë shtetas të huaj të dënuar janë kthyer në vendet e tyre gjatë mandatit të kësaj qeverie. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka për t’i larguar këta kriminelë nga rrugët tona.”, tha ai.
Sekretarja britanike e Brendshme, Shabana Mahmood, po propozon ndryshime ligjore që synojnë ta bëjnë më të vështirë për shtetasit e huaj të dënuar dhe emigrantët e paligjshëm të përdorin legjislacionin për të drejtat e njeriut për të shmangur deportimin. Ajo po ashtu synon të thjeshtojë sistemin e apelimeve dhe të krijojë procedura më të shpejta për largimin e autorëve të veprave penale.
Nga ana tjetër, ministri “në hije” i Brendshëm, Chris Philp, deklaroi: “Ky kriminel shqiptar, i njohur për autoritetet, ka ekspozuar hapur pasurinë e tij në Britani, duke shfaqur makina sportive dhe tani edhe këtë video të pazakontë ku u jep qenve kartëmonedha.
Nuk duhet të lejojmë që kriminelë të huaj si ai të qëndrojnë në vend. Ai duhet të deportohet menjëherë dhe Shabana Mahmood duhet të sigurojë urgjentisht largimin e tij, në mënyrë që publiku britanik të mos përballet më me veprimtarinë e tij kriminale.
Kriminelë të tillë shpesh përdorin Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kërkesat për azil dhe pretendimet për skllavëri moderne për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar. Për këtë arsye, ne duhet të largohemi nga KEDNJ dhe të ndalojmë përdorimin e këtyre mekanizmave për të shmangur deportimin”.
Sipas raportimeve, Puka u dënua fillimisht me nëntë muaj burg në vitin 2016 për tentativë vjedhjeje në një banesë. Pronari e kishte vërejtur përmes kamerave të sigurisë ndërsa ndodhej me pushime në Francë. Ai u deportua një vit më vonë.
Brenda një viti, ai arriti të shmangte kontrollet kufitare dhe u rikthye në Britani, ku kreu një seri vjedhjesh në Londër.
Ai u arrestua nga policë civilë gjatë patrullimeve në zonën e Surbiton, në jugperëndim të Londrës, pas shtimit të rasteve të vjedhjeve në atë zonë. Në momentin e arrestimit mbante në dorë një orë të shtrenjtë që rezultoi e vjedhur. Më pas u dënua me tre vjet e gjysmë burg dhe u deportua në mars të vitit 2020.
Gjatë kohës që vuante dënimin, ai përdori një telefon celular të futur në mënyrë të paligjshme në burg për të publikuar fotografi të tij në Instagram./Përshtatur nga “The Telegraph”