I shpallur në kërkim për atentatin ndaj Brian Syzos, arrestohet Edison Agolli, vihet në pranga edhe i plagosuri

Kronike

Publikuar: 17/07/2026

I shpallur në kërkim për atentatin ndaj Brian Syzos, arrestohet Edison Agolli, vihet në pranga edhe i plagosuri

Është arrestuar Edison Agolli, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në ngjarjen e 30 qershorit në Pogradec, ku mbeti i plagosur rëndë Brian Syzo.

Sipas burimeve pranë grupit hetimor, 22-vjeçari Agolli u kap nga strukturat e hetimit të krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë. Ai ishte shpallur në kërkim që prej momentit të ngjarjes, ku dyshohet se së bashku me persona të tjerë tentuan vrasjen me armë të Brian Syzos.

Mbi Agollin rëndon akuza e “vrasjes me paramendim e kryer për interes, hakmarrje”, e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim.

Hetimet kanë zbardhur gjithashtu se arrestimi i tij lidhet edhe me vendosjen e një kamere pranë Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Drenovë, me qëllim monitorimin e lëvizjeve të Brian Syzos.

Ndërkohë, në pranga ka rënë edhe vetë Brian Syzo, i cili mbeti i plagosur në atentatin e Pogradecit. Arrestimi i tij është bërë pas një vendimi të Gjykatës së Apelit, e cila ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Pogradecit të vitit 2023 për veprën penale “prodhim dhe shitje narkotikësh”.

Syzo është dënuar me 3 vite e 4 muaj burgim, dënim të cilin tashmë do ta vuajë.

Hetimet për ngjarjen e rëndë në Pogradec vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe rolit të personave të përfshirë.