PD votoi kundër rezolutës në Komitetin Shqipëri-BE, Spaho: Karavidhe partiake, treguan se për ta PD vlen më shumë se interesat e vendit

Politikë

Publikuar: 10/07/2026

PD votoi kundër rezolutës në Komitetin Shqipëri-BE, Spaho: Karavidhe partiake, treguan se për ta PD vlen më shumë se interesat e vendit

Ish-deputeti i PD, Edmond Spaho ka kritikuar ashpër qëndrimin e deputetëve të PD-së, të cilët votuan kundër deklaratës së Komitetit të Përbashkët të Stabilizim-Asociimit, me rekomandimet për integrimin e Shqipërisë në BE.

Sipas tij, deputetët e PD-së vunë interesin e partisë së tyre mbi interesin e Shqipërisë. Spaho vëren se ndihet i trishtuar kur shikon se si një parti që dikur thërriste “e duam Shqipërinë si gjithë Europa” në vitin 1990, sot është katandisur në “e duam Shqipërinë për vete dhe interesat tona të pështira”.

Postimi i plotë i Spahos:

“Deklarata e Komitetit të Përbashkët të SA-së, me rekomandimet për integrimin e Shqipërisë në BE, nuk votohet nga deputetët e opozitës, ose më saktë ata të PD-së.

Mendoja se fakti që teksti i deklaratës u përgatit nga eurodeputetët në Komitetin e SA-së dhe që asaj iu bashkëngjitën rezoluta e para disa kohëve e PE-së dhe rezoluta e Parlamentit të Shqipërisë për integrimin europian, e votuar nga PD dhe PS, do të ishin të mjaftueshme që të liheshin pas gërvërret e politikës shqiptare dhe deklarata të votohej në unanimitet.

Por jo!

Ashtu sikurse ka vepruar gjithmonë, PD nxori pretekste për të mos e votuar tekstin e deklaratës të përgatitur nga eurodeputetët.

Në momentin më vendimtar për procesin e integrimit europian të vendit, kolegët e mi të opozitës votojnë kundër. Ndihem shumë i trishtuar për këtë veprim.

Nëse do të isha pjesë e atij komiteti, pavarësisht urdhrit të kryetarit të partisë, do të votoja pro, pasi Shqipëria në Europë vlen më shumë se të gjitha partitë politike të marra së bashku.

‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’ ishte thirrja kur u ngritëm në vitin 1990. Sot ajo është katandisur në ‘e duam Shqipërinë për vete dhe interesat tona të pështira’.

Me këtë veprim, kolegët e mi treguan brutalisht që për ta PD vlen më shumë se interesat e vendit, që ‘rikthimi’ i tyre në pushtet ka më shumë rëndësi se integrimi europian.

Nuk është hera e parë që PD mban qëndrime të tilla antikombëtare. Frymëzimin e marrin nga ata që i drejtojnë.

Nuk di ndonjë vend që ka synuar apo synon integrimin në BE, ku politikanët e opozitës, për interesat e tyre të ngushta, të jenë kaq të papërgjegjshëm me procesin e integrimit në BE.

Habitem me disa politikanë të PD-së që hiqen si proeuropianë, proatlantistë, që flasin nga mëngjesi në darkë për integrimin europian të vendit dhe, kur vjen ora e gjykimit, sillen si Haxhi Qamili dhe Esat Pasha. Janë edhe më të vjetër se kryetari i tyre shekullor.

Një gjë është e sigurt, vota e deputetëve të PD-së në këtë Komitet nuk e pengon aspak integrimin e vendit në BE, sikurse nuk e ka penguar në gjithë këto vite.

Por anëtarët e PD-së në Komitetin e Përbashkët të SA-së do të mbahen mend si karavidhe partiake, që nuk lënë rast të paraqiten në publik ashtu siç janë në të vërtetë, pengues dhe sabotatorë të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Prandaj ne në PD po zhdukemi çdo ditë e më shumë nga harta politike e vendit, po reduktohemi elektoralisht dhe kemi mbetur opozitë e përjetshme, sepse nuk duam të pranojmë cili është interesi i vërtetë i qytetarëve dhe sa herë na jepet mundësia të tregojmë veten, ngrihemi me paturpësi kundër interesit të vendit.”