Review-t online janë kthyer në një pjesë të rëndësishme të marrëdhënies mes konsumatorëve dhe bizneseve. Ato ndikojnë në reputacion, vendimmarrjen e klientëve dhe, në disa raste, edhe në të ardhurat e drejtpërdrejta të një biznesi. Për këtë arsye, në shumë vende është hapur një debat i ri rreth asaj se ku përfundon e drejta për kritikë apo bojkot dhe ku nis manipulimi i qëllimshëm i reputacionit përmes review-ve të rreme?
Në Shtetet e Bashkuara, Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) miratoi në vitin 2024 një rregulloretë posaçme kundër review-ve të rreme dhe dëshmive mashtruese online. Rregullorja ndalon krijimin, shitjen ose blerjen e review-ve të rreme, përfshirë rastet kur një person paraqitet si klient pa pasur përvojë reale me biznesin. Ajo ndalon gjithashtu përdorimin e review-ve të krijuara me inteligjencë artificiale, në rastet kur ato paraqiten si përvoja autentike konsumatorësh, si edhe blerjen e review-ve negative për të dëmtuar konkurrentët.
Sipas FTC-së, shkeljet mund të sjellin gjoba civile të konsiderueshme, që në disa raste mund të shkojnë deri në dhjetëra mijëra dollarë për shkelje. Megjithatë, kjo nuk do të thotë automatikisht se çdo review individual sjell një gjobë të tillë. Në praktikë, vlerësimi bëhet rast pas rasti dhe varet nga mënyra e organizimit, qëllimi, dëmi dhe provat që paraqiten.
Në nivel civil, bizneset në SHBA mund të kërkojnë mbrojtje edhe përmes padive për shpifje, dëmtim reputacioni apo ndërhyrje të paligjshme në marrëdhëniet tregtare. Por edhe këtu ekziston një kufi i rëndësishëm: një review negativ, i bazuar në një përvojë reale ose në një opinion të sinqertë, zakonisht mbrohet nga liria e shprehjes. Problemi lind kur një dikush pretendon në mënyrë të rreme se ka qenë klient, shpik fakte ose merr pjesë në një fushatë të koordinuar për të manipuluar vlerësimin e një biznesi.
Në praktikë, zbatimi i ligjit bëhet kryesisht nga Federal Trade Commission (FTC). Nëse konstatohet se një individ ose kompani ka organizuar, shitur ose përdorur review të rreme, FTC mund të kërkojë në gjykatë urdhra për ndërprerjen e praktikës, heqjen e përmbajtjes mashtruese, kthimin e përfitimeve të realizuara nga kjo praktikë dhe vendosjen e gjobave civile që mund të arrijnë deri në rreth 51,744 dollarë për çdo shkelje, sipas legjislacionit federal. Paralelisht, bizneset e dëmtuara mund të ngrenë padi civile për shpifje, dëmtim reputacioni ose ndërhyrje të paligjshme në aktivitetin ekonomik, duke kërkuar dëmshpërblim nëse provohet se review-t janë publikuar nga persona që nuk kanë qenë klientë ose përmbajnë deklarata faktike të pavërteta.
Një shembull i njohur është rasti i Amazon, e cila në vitin 2022 ngriti padi ndaj administratorëve të mijëra grupeve në Facebook që dyshohej se organizonin review të rreme në këmbim të pagesave ose produkteve falas. Rasti tregoi se fenomeni nuk lidhet vetëm me individë të veçuar, por edhe me rrjete të organizuara që mund të ndikojnë në perceptimin e konsumatorëve.
Në Bashkimin Evropian, review-t e rreme trajtohen kryesisht përmes legjislacionit për mbrojtjen e konsumatorit dhe praktikat e padrejta tregtare. Pas ndryshimeve të njohura si Direktiva Omnibus, bizneset dhe platformat nuk mund të pretendojnë se review-t vijnë nga konsumatorë realë nëse nuk kanë marrë masa të arsyeshme për ta verifikuar këtë. Po ashtu, konsiderohet praktikë mashtruese promovimi i review-ve të rreme ose manipulimi i sistemit të vlerësimeve.
Në Bashkimin Evropian nuk ekziston një autoritet i vetëm si FTC, ndaj zbatimi i legjislacionit bëhet nga autoritetet kombëtare të mbrojtjes së konsumatorit dhe konkurrencës në secilin shtet anëtar. Këto institucione mund të urdhërojnë heqjen e review-ve mashtruese, të vendosin gjoba administrative ndaj bizneseve ose platformave që lejojnë apo promovojnë review të rreme dhe, në disa raste, të nisin procedura gjyqësore. Pas hyrjes në fuqi të Direktivës Omnibus, shtetet anëtare janë të detyruara të parashikojnë sanksione “efektive, proporcionale dhe parandaluese”, ndërsa masat konkrete – përfshirë nivelin e gjobave – ndryshojnë nga një vend në tjetrin.
Një rast edhe më interesant paraqet Italia, ku autoritetet kanë propozuar masa edhe më konkrete në sektorin e turizmit dhe hotelerisë. Projektligji i prezantuar në vitin 2025 parashikon që autorët e review-ve të provojnë identitetin dhe faktin që kanë qenë realisht klientë. Synimi është të kufizohet ndikimi i komenteve të fabrikuara në një sektor ku reputacioni online luan rol të madh ekonomik.
Përveç projektligjit të vitit 2025, Italia ka qenë një nga vendet më aktive në ndjekjen e këtij fenomeni. Në vitin 2024, një gjykatë në Milanourdhëroi mbylljen e një platforme që shiste review të rreme për produkte të Amazon, duke e konsideruar aktivitetin e saj të paligjshëm. Rasti u konsiderua një precedent i rëndësishëm në luftën kundër tregtimit të review-ve të fabrikuara.
Në Mbretërinë e Bashkuar, autoriteti i konkurrencës ka marrë kompetenca më të forta për të hetuar dhe ndëshkuar praktikat që lidhen me review-t e rreme. Ligji i ri për tregjet digjitale dhe konsumatorët ndalon review-t e rreme dhe review-t e paguara pa transparencë, ndërsa platformat pritet të kenë mekanizma më të qartë për identifikimin dhe heqjen e tyre. Në rastet më të rënda, gjobat mund të arrijnë deri në 10% të xhiros globale të kompanisë
Nga këto shembuj del se qasja ndërkombëtare nuk synon të ndalojë kritikën ndaj bizneseve. Por ajo që po trajtohet gjithnjë e më shumë si problem ligjor është një kategori tjetër: review-t e fabrikuara, të shkruara nga persona që nuk kanë pasur asnjë marrëdhënie me biznesin dhe që përdoren për të krijuar një perceptim të rremë në treg.
Në këtë kuptim, debati nuk është thjesht mes lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së biznesit. Çështja kryesore është besueshmëria e informacionit në tregun digjital. Konsumatorët kanë të drejtë të kritikojnë, por edhe konsumatorët e tjerë kanë të drejtë të mos mashtrohen nga përvoja të fabrikuara. Po ashtu, bizneset duhet të jenë të hapura ndaj kritikës reale, por jo domosdoshmërisht ndaj fushatave të rreme që paraqiten si eksperienca klientësh.
Përvoja amerikane dhe evropiane tregon se vijëndarja është relativisht e qartë: bojkoti dhe kritika janë të ligjshme; manipulimi i qëllimshëm i review-ve përmes deklaratave të rreme mund të sjellë pasoja ligjore.
TemA