Policia franceze ka ndaluar të infiltruarën e Sali Berishës, Marjeta Makaj, e cila ndoqi nga pas dhe filmoi Taulant Ballën në një restorant në Strasburg, duke i kërkuar llogari se pse po pinte një birrë, ndërsa në Shqipëri protestohej. Bashkë me Ballën ishin edhe Arbjan Mazniku, Pirro Vengu dhe Evis Kushi. Policia franceze ka shoqëruar zonjën Makaj, e cila kishte marrë me vete duke e përdorur edhe djalin e saj 13-vjeçar. Policia ka fshirë videon e porositur nga PD-ja dhe ka informuar deputetët.

Marjeta Makaj, e cila hiqet si aktiviste, ndonëse punon si sanitare në Strasburg, është militante e Partisë Demokratike. Ajo thirret nga përfaqësues të PD për ndonjë protestë, sulme me vezë dhe video si ajo me Taulant Ballën, besohet përmes pagesës. Ajo është informuar nga përfaqësues të PD-së për restorantin ku ndodhej Balla me disa deputetë të tjerë të PD-së, ndërsa është instruktuar për të filmuar, për të bërë miting te tavolina dhe provokuar përplasje, besohet kundrejt pagesës.

Teksa grupi i deputetëve të PS-së ishte ulur në restorant, befas aty është shfaqur Marjeta Makaj me disa njerëz të saj, përfshirë edhe djalin 13-vjeçar, ku ka nisur me thirrje ‘Rama n’burg, Balla n’burg’. Militantët kanë debatuar me deputetët, duke iu drejtuar se si nuk iu vjen turp që ulen në restorante të tilla ndërkohë që populli proteston në Tiranë.

Pas aktit revolucionar në Strasburg, Marjeta Makaj është ftuar mëngjesin e sotëm nga televizioni i Familjes Berisha, për të dhënë detaje nga realizimin e porosisë politike në Strasburg. “U mblodhëm me dy-tre veta që kemi qenë bashkëorganizatorë të protestave edhe shkuam tek hoteli. Por nuk ishte. E pastaj duke bërë një xhiro nëpër qytet, krejt rastësisht domethënë, i pamë që në tarracën e një lokali ndodheshin“, tha Makaj.
