Shkolla nis më 14 shtator, kurrikula të reja, shtohen psikologët dhe oficerët e sigurisë

Aktualitet

Publikuar: 09/07/2026

Shkolla nis më 14 shtator, kurrikula të reja, shtohen psikologët dhe oficerët e sigurisë


Shkollat janë mbyllur dhe nxënësit janë me pushime, por Ministria e Arsimit ka publikuar kalendarin për vitin e ri shkollor. Javën e tretë të shtatorit, në datën 14, nxënësit do të rikthehen në klasa, një vit më të rritur.

Numri dy i Ministrisë së Arsimit, Orjana Osmani, tregon për A2 CNN kalendarin dhe kurrikulat e reja. “Të gjitha agjencitë me AKAP, ASKAP, të cilat janë duke punuar fort për të pasuruar udhëzimin e fillimvit me të gjitha detajet që i duhet çdo shkolle për të nisur punën në datën 14 shtator. Kemi kurrikula të reja për klasën e parë, për klasën e gjashtë dhe për klasën e 10. Do të kemi tekste të përditësuara dhe tekste të reja të cilat patjetër do të jenë në ndihmë të të gjithë nxënësve për të mësuar më mirë, për të qenë më afër tregut të punës”, thotë ajo.

Shtimi i psikologëve në shkolla dhe i oficerëve të sigurisë do të jetë një nga nismat e Ministrisë së Arsimit për vitin e ri shkollor.

“Jemi duke shtuar numrin e psikologëve që të kemi po themi një staf të plotë në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Sigurisht do të kemi një shtesë edhe të numrit të oficerëve të sigurisë për të cilët edhe ata kanë standarde të reja të punës. Ne sapo i kemi miratuar ato dhe do të jenë pjesë e udhëzimit të fillimvitit. Ka nevojë për koordinim të punës të të gjithë aktorëve brenda shkollës”, thotë Osmani.

Në të gjithë vendin do të hapen 40 shkolla që iu nënshtruan rikonstruksionit. Edhe në Tiranë do të ketë godina të reja, por sërish nuk eliminohet mësimi me dy turne për shkak të numrit të lartë të nxënësve të përqendruar në kryeqytet.

Sipas kalendarit të Ministrisë së Arsimit, viti shkollor zgjat 9 muaj. Ndërpritet nga pushimet e dimrit në fundvit dhe ato të pranverës, në mars, këto të fundit për nxënësit e arsimit 9-vjeçar. Për shkak të provimeve kombëtare, procesi mësimor mbyllet më herët për maturantët që, si çdo vit, në qershor zhvillojnë provimet e Maturës Shtetërore.