Samiti i radhës i NATO-s në Tiranë, Berishën nuk e bind deklarata e Rutte: Kam dilemat e mia, Ramën e shpërfillën

Politikë

Publikuar: 09/07/2026

Samiti i radhës i NATO-s në Tiranë, Berishën nuk e bind deklarata e Rutte: Kam dilemat e mia, Ramën e shpërfillën

Duke komentuar samitin e NATO-s në Ankara, kreu i PD Sali Berisha tha se kryeministri Edi Rama u shpërfill nga liderët e vendeve të Alenacës. Nga selia blu, Berisha u shpreh se Rama ishte njeri më i vetmuar dhe hyri e doli nga samiti si i përçmuar.

“Ju e patë vetë, e patë vetë në samit. E patë besoj apo jo? Aty ishte njeriu më i vetmuar. Sharlatani më i damkosur. Hokatari më i shpifur.  Që mendoi se me atletet e bardha, s’po përdor shprehjet që i meriton në këtë rast, do mund të tërhiqte vëmendje dhe tërhoqi vetëm përçmim.  E patë vetë. Nuk ka një foto. Nuk ka një fjalë. Ka vetëm atletet e tij. Për të cilat protokolli turk, në darkën presidenciale i nxori kartonin e kuq: S’mund të vish! Edhe u detyrua të kthehet, mos bëjë më ekzibicionistin, por të zbresë tek këpucët normale për ngjarje të tilla. Shikojeni ju kur shkon, kur futet në pallatin presidencial për darkën e presidentit. Por aty nuk u tolerua, u përçmua. Ai pra hyri dhe doli nga ai samit si i vetmi njeri i përçmuar. Kjo është e vërteta”, tha Berisha.

Ndonëse, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute njoftoi se takimi i radhës i alenacës do të zhvillohet në Tiranë, Sali Berisha ka dilemat e tij.

“Nuk them se zhvillohet apo nuk zhvillohet. Unë nuk dëgjova një fjalë mirupafshim në Shqipëri, në Tiranë. Nuk e dëgjova. E vërteta është që në samitin e mëparshëm për vitin 2027 ishte caktuar Tirana, kjo është e njohur. Por ka mbi dy muaj që qarkullojnë zëra të ndryshëm. Unë nuk mund të komentoj, as se zhvillohet, as se nuk zhvillohet.

Në dokumentet e NATO-s kur përfundon një samit, informohet samiti tjetër dhe vendi, kësaj here nuk ndodhi. Sikundër nuk ndodhi konferenca e veçantë për shtyp, që e kishte njoftuar Rama.  Rama kishte bërë gati të gjitha kamerat e televizioneve të tij dhe prisnin me padurim kur ai do të dilte në konferencë të veçantë shtypi. Nuk patë gjë. Kjo është ajo që mund të komentoj”, tha Berisha.

Ramën e akuzoi se po krijon një klimë jo miqësore me vendet fqinje, sa i takon akuzave se kanë ndërhyrë në protesta.

“Dua të dënoj me forcën më të madhe akuzat që Edi Rama bën për ndërhyrje të vendeve të tjera, veçanërisht Greqisë, Kosovës, duke krijuar kështu një klimë jomiqësore me këto vende, me të cilat Shqipëria ka marrëdhëniet më të mira dhe ndan shkëmbimet më intensive.

Është në natyrën e njeriut të inkriminuar, në natyrën e diktatorëve mbi shpatullat e të cilëve rëndojnë krimet e rënda të fajësojnë gjithë botën dhe të mos njohin asnjë përgjegjësi për veten e tyre. Por, populli i ka prerë biletën. Kjo është e vërteta”, tha Berisha.