Në një lidhje live nga spitali për Top Channel, gazetari dhe analisti Ilir Demaliaj ka sqaruar ngjarjen se si u dhunua barbarisht sot, sapo doli nga shtëpia, nga dy persona të cilët e goditën me grushte.
“Po dilja nga shtëpia dhe dy veta të lagjes, që kanë dyqan aty, më sulmuan. Një polic po i vinte gjobë për parkim të gabuar. Më goditën me grushte se thanë që kam lajmëruar policinë, por nuk e kisha lajmëruar unë.
Nuk i kam borxh njeriu dhe as armiqësi, por kërcënime të vazhdueshme kam pasur, urrejtje kot. Si shqiptarët, shahemi online, në media, jemi një popull që veç urrejmë, por nuk e kuptojmë që me këtë do të shkatërrojmë vetveten.
Shumë njerëz më thonë pse rri, unë rri ku të më dojë qejfi mua. Nuk besoj që më rrahën për qëndrimet e politikës, por pse kam ngritur problemin për të pastruar parkimin e asaj zone, se nuk hyjmë dot në shtëpi. Këtu është vendi i cubave. Më dhunuan në sy të policisë. Po i kërkon policia, i ka gjetur, por nuk e di nëse i kanë kapur. A ka shtet këtu? E bëra denoncimin”, ka shpjeguar ai.
Policia ka identifikuar njërin prej autorëve të dyshuar dhe e ka shpallur në kërkim.
/TCH