Partizania e barazisë sociale, medias së lirë, universiteteve cilësore dhe integrimit në Bashkimin Europian, Blerjana Bino, drejtuese e Qendrës për Shkencën dhe Inovacionin për Zhvillim (SCiDEV), është treguar e mençur jo vetëm në përthithjen e fondeve nga partnerët ndërkombëtarë, por edhe në shpërndarjen e tyre. Fare hapur, por në rregull me letrat që i dërgohen donatorëve, Bino ka zgjedhur që paratë të mos i lërë të ikin jashtë familjes. Ndaj në dhjetëra projekte paratë ndahen pikërisht mes babait të dy fëmijëve, Erjon Curraj, bashkëshortit pa letra për t’i shpëtuar auditimit, dhe dy kunatave, Anisa dhe Erida Curraj.

(Dy kunatat Blerjana Bino dhe Anisa Curraj)
Gjithçka është nën dritën e diellit dhe vijon prej të paktën një dekade. Familja pasurohet, projektet shtohen dhe puna vazhdon. E përkëdhelura e fondacionit Soros fillimisht, por tashmë me një rrjet ndërkombëtar bashkëpunimesh, edhe në raportet publike vetë është drejtoreshë, ndërsa bashkëshortin e ka ekspert, kunatat gjithashtu eksperte e bashkëpunëtore.

(Erjon Curraj, bashkëshorti)
Ndoshta në ato raportet e tjera që Blerjana u çon partnerëve europianë, kjo do të quhej nepotizëm, por ne po preferojmë t’a quajmë më thjesht konflikt i pastër interesi dhe përvetësim fondesh në mënyrë familjare.
Por le t’i kthehemi fakteve. Aktualisht, Blerjana Bino dhe Erjon Curraj shfaqen bashkërisht në disa projekte dhe publikime, si U2SID/Erasmus+ dhe analizat mbi median, inteligjencën artificiale dhe të drejtat digjitale.

Dokumentet publike dhe fotot në rrjetet sociale konfirmojnë jo vetëm lidhjet familjare, por bashkëpunimin e thellë institucional dhe profesional mes tyre në SCiDEV. Madje drejtoresha dhe eksperti shfaqen edhe në të njëjtat tryeza publike, por të financuara nga i njëjti burim. Sigurisht në darkë janë në të njëjtën shtëpi, por mbiemrat i mbajnë të ndryshëm.
Projektet ku çifti punon bashkë
U2SID – Erasmus+
Në projektin U2SID (University to Society Collaborations for Inclusive Digital Transformation), Blerjana Bino dhe Erjon Curraj shfaqen së bashku në ekipin hartues të një prej dokumenteve kryesore të projektit. Të dy kontribuojnë në fushën e transformimit digjital dhe bashkëpunimit universitet-shoqëri, duke përfaqësuar SCiDEV Center në një projekt me financim nga programi Erasmus+ i Bashkimit Europian.
Western Balkan Digital Rights Cooperation
Në projektin rajonal për të drejtat digjitale në Ballkanin Perëndimor, Blerjana Bino drejton angazhimin institucional të SCiDEV, ndërsa Erjon Curraj paraqitet si ekspert i transformimit digjital dhe sigurisë kibernetike. Të dy shfaqen në aktivitete dhe publikime që lidhen me privatësinë, sigurinë online dhe politikat digjitale.
National Digital Rights Festival
Në këtë iniciativë të financuar nga Smart Balkans dhe Ministria e Jashtme e Norvegjisë, Blerjana Bino dhe Erjon Curraj janë pjesë e të njëjtit ekip projekti. Aktivitetet fokusohen në edukimin digjital, sigurinë kibernetike dhe ndërgjegjësimin e të rinjve për të drejtat në internet.
Cyber Resilience of Media and Civil Society Organizations
Ky projekt për forcimin e sigurisë kibernetike të mediave dhe organizatave të shoqërisë civile përfshin SCiDEV në rolin e partnerit zbatues. Blerjana Bino dhe Erjon Curraj dalin të angazhuar në aktivitetet që lidhen me mbrojtjen digjitale, trajnimin dhe rritjen e kapaciteteve profesionale.
Combating Disinformation in Albania
Në projektin kundër dezinformimit të mbështetur nga Bashkimi Europian, Blerjana Bino shfaqet në rolin e drejtimit dhe koordinimit institucional të projektit. Erjon Curraj kontribuon në aspektet që lidhen me teknologjinë, mjedisin online dhe analizën e ndikimit të dezinformimit në hapësirën digjitale.
Strengthening Journalistic Safety
Në këtë projekt për sigurinë e gazetarëve, Blerjana Bino është pjesë e ekipit drejtues të SCiDEV që koordinon aktivitetet me partnerët ndërkombëtarë. Erjon Curraj angazhohet në komponentët që lidhen me sigurinë digjitale dhe mbrojtjen online të profesionistëve të medias.
Përfshirja e Anisa dhe Erida Curraj
Ndërkohë, në projekte të tjera janë përfshirë dy kunatat dhe babai i fëmijëve. Sipas burimeve publike të lidhura me aktivitetet e SCiDEV, rezultojnë referenca që lidhin Erida Curraj me organizatën në cilësinë e bashkëpunëtores në projekte kërkimore, studime në terren dhe aktivitete për ngritjen e kapaciteteve.

(Dy kunatat)
Profili i saj profesional përmend angazhime në kërkime, analiza dhe iniciativa të zhvilluara në bashkëpunim me SCiDEV. Ndërsa emri i Anisa Curraj shfaqet në aktivitete akademike, kërkimore dhe iniciativa të lidhura me arsimin, STEM dhe zhvillimin e politikave publike, në të cilat SCiDEV ka qenë i përfshirë.

Nuk dihet sa janë në dijeni donatorët për këto lidhje familjare në projekte, por me siguri ka raste kur mbajtja e mbiemrit tënd edhe pas martese të vlen të zgjerosh portofolin e fondeve nga donatorët e të shtosh paratë në xhep. Blerjana nuk drejton një organizatë të vogël; vetëm një prej projekteve të saj mund të kapërcejë vlerën e 300 mijë eurove.

Detajet e tjera se si me këto fonde është abuzuar dhe u është hedhur hi syve ndërkombëtarëve do të jenë pjesë e një shkrimi tjetër, por sot kemi thjesht një pyetje për zonjën Bino:
Sa të besueshme janë raportet e projekteve tuaja kur paratë e tyre zgjedh t’i ndash mes familjarëve?
Blerjana Bino është vetëm një nga emrat e organizatave joqeveritare në Shqipëri që kanë gllabëruar fonde dhe kanë gjetur mekanizma si të dalin të larë e të shesin edhe moral publik.

Mund të lexoni;