Nga Adriatik Doçi
Lexova manifestin e Dritan Goxhajt për mënyrën e qeverisjes me short pas shkërkoqjes së synuar të sistemit. Edhe dhitë e Marjanës, po t’ua këndonte kjo e fundit, do të qeshnin me të! Është si të shndërrosh dybekun e Nafijes në anije kozmike.
Mirëpo manifesti nuk mund të konsiderohet thjeshtë groteskt! As si ditari që FBI-ja i zbulon një subjekti që planifikon të kryejë apo pasi ka kryer një krim. Manifesti nuk mund të kalojë si një mufkë Pilinçi pasi autori i tij, Dritan Goxhaj, e përzien (implikon) atë me ‘Revolucionin e Flamingove’, përmes të cilit synon t’a zbatojë, pasi Edi Rama të pranojë kërkesën ultimative për të dhënë dorëheqjen dhe t’i dorëzojë pushtetin grupit kordinator.
Me ide të qartë për formën e qeverisjes së parrokshme nga një mendje normale, Goxhaj jo rastësisht u caktua për të lexuar kërkesat e ‘revolucionit’, të cilin një pjesë ndoshta me naivitet e përceptojnë si hit veror, trend apo paradë rizartash.
Dritan Goxhaj, ideator i manifestit, u prezantua si përfaqësues i protestës. Në këto rrethana, manifesti mund të konsiderohet si produkt i protestës. Programi, nëse mund t’a quajmë të tillë, për mënyrën e qeverisje pas ‘revolucionit’ merr një tjetër rëndësi për shkak të cilësive të autorit, i cili ka demostruar publikisht urrejtje për Izraelin dhe simpati për Hamasin, shpallur organizatë terroriste nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Kanadaja dhe Japonia.
Aitori i manifestit ka shfaqur gjithashtu ide radikale/kriminale, si për shembull, vrasjen e liderëve politikë me qëllim për të sjellë ndryshimin politik sipas projektit të tij sa grotesk aq edhe të sëmurë.
Pas këtyre simptomave, mekanizmat e çdo shteti serioz duhet të ishin vënë në lëvizje, duke nisur nga Shërbimi Informativ Shtetëror, Policia e Shtetit dhe Prokuroria. Pas ekspozimit të manifestit në media, sinjali i parë i alarmit duhej të jepej nga anti-terrori dhe specialistët e shëndetit mendor.