Sara Mila: Sulmet ndaj grave në politikë janë shenjë frike, jo force

Politikë

Publikuar: 24/06/2026

Sara Mila: Sulmet ndaj grave në politikë janë shenjë frike, jo force

Deputetja e Qarkut të Elbasanit, Sara Mila, ka reaguar me një mesazh të fortë në mbështetje të vajzave dhe grave të Partisë Socialiste, duke vlerësuar rolin e tyre në politikë dhe duke dënuar ashpër gjuhën e bullizimit dhe intimidimit ndaj tyre.

Përmes një postimi publik, Mila thekson se gratë socialiste kanë sjellë një standard të ri në politikëbërje, duke e lidhur këtë me përkushtimin, profesionalizmin dhe kurajën që ato kanë treguar në jetën publike.

Deputetja bën thirrje për qëndresë dhe vazhdimësi, duke nënvizuar se bullizimi, presioni dhe gjuha e urrejtjes nuk mund të ndalin fuqinë e grave në rrugën e tyre drejt një Shqipërie europiane.

Reagimi i plotë:

Vajzat dhe gratë e mrekullueshme të PS-së kanë sjellë një standard tjetër në politikëbërje: më shumë përkushtim, ndjeshmëri, profesionalizëm dhe kurajë. Me punën dhe angazhimin e tyre të përditshëm, ato janë kthyer në zërin dhe shpresën e shumë vajzave e grave të tjera, që sot besojnë më fort se politika është edhe hapësira e tyre.

Asnjëra prej tyre nuk duhet të ndalet, as edhe për një sekondë, përballë personazheve që zgjedhin bullizimin, fyerjen dhe intimidimin si mjet politik. Sulmet ndaj grave nuk janë forcë, por shenjë dobësie dhe frike përballë grave që dinë të flasin, të vendosin dhe të udhëheqin.

Vazhdoni përpara, me kokën lart dhe me bindjen se çdo pengesë që kapërceni u hap rrugën shumë të tjerave. As bullizimi, as presioni dhe as gjuha e urrejtjes nuk mund ta ndalin fuqinë e grave që kanë vendosur të bëjnë Shqipërinë një vend europian.

Protestuese vajza, që nxisni dhunë ndaj vajzave, kam vetëm një pyetje: Çfarë revolucioni është ky?