Berisha del kundër kërkesës së protestuesve: Qeveria tranzitore s’mund të zgjidhet me short, duhet brenda Kushtetutës

Politikë

Publikuar: 24/06/2026

Berisha del kundër kërkesës së protestuesve: Qeveria tranzitore s’mund të zgjidhet me short, duhet brenda Kushtetutës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se mbështet disa prej kërkesave të protestuesve, përfshirë dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në dy mandate. Megjithatë, ai doli hapur kundër një prej propozimeve të artikuluara nga organizatorët e protestës, atë për ngritjen e një qeverie tranzitore të zgjedhur me short.

Duke komentuar kërkesat e lexuara nga lideri i protestës, Dritan Goxhaj, Berisha tha se një qeveri e tillë duhet të krijohet brenda kuadrit kushtetues dhe të marrë votëbesimin e Parlamentit. Sipas tij, nuk mund të ketë një qeveri “jashtë Kushtetutës” dhe zgjedhja e saj nuk mund të bëhet me short.

Deklarata vjen në një moment kur protestuesit kanë insistuar në distancimin nga partitë politike dhe kanë refuzuar përfshirjen e tyre në formulimin e kërkesave. Ndërsa Berisha shprehet se mbështet protestën dhe disa nga objektivat e saj, qëndrimi i tij ndaj qeverisë tranzitore e vendos atë në kundërshtim me një nga propozimet kryesore të artikuluara nga lëvizja.

“Së pari, në kërkesat e lexuara, e paraqitura nga Goxhaj, përsëritet dorëheqja e menjëhershme e Edi Ramës, kërkesë kjo që ne e mbështesim pa asnjë rezervë. Së dyti, shtohet aty kufizimi i mandatit të kryeministrit në dy mandate. PD është plotësisht dakord. Që nesër është e gatshme të votojë në parlament dhe t’i bëjë thirrje qytetarëve të votojnë për një masë të tillë. Pse kjo? Sepse u bë e qartë që Rama nuk lejon rotacionin e pushtetit. Këtë nuk e themi ne, por e thonë dokumentet ndërkombëtare. Atëherë ka një mençuri: ta largojë Kushtetuta. Të them edhe një gjë si kryeministër. Nëse ti punon për një program, 8 vite i ke absolutisht të mjaftueshme, jo për zbatimin 100% të tij, por për zbatimin e pikave më kryesore të tij dhe për zbatimin e tij në masën 80-90%. Pra, çfarë qëndron në rastin e Edi Ramës, është që ai qëndron në pushtet pa zgjedhje. Unë kuptoj që protestuesit duan t’i japin një përgjigje të tillë nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës.

Kjo parti ka luftuar më shumë se kushdo tjetër kundër atyre ligjeve. Ka ndjekur çdo procedurë të mundshme kundër tyre, qoftë kundër ligjit për zonat e mbrojtura, për koncesionet dhe investimet strategjike. Rikujtoj një moment, në platformën tonë, investimi pa taksa është pranuar vetëm në zonat malore.

Para një jave kam propozuar një qeveri jopartiake, tranzitore. Jo e zgjedhur me short. Të votohet në Parlament. Një qeveri jashtë Kushtetutës nuk bëhet fjalë. Unë s’dal jashtë ligjit. Kam qenë ish-president, ish-kryeministër. Duhet të votohet nga Parlamenti, të marrë votëbesimin dhe të çojë vendin në zgjedhje. Unë nuk e kuptoj atë propozimin e tyre që kanë për një qeveri jashtë Kushtetutës. Unë kam kuptuar kërkesën si një kërkesë jopartiake, të përbërë nga ekspertë të shquar, intelektualë të njohur, në bazë të një marrëveshjeje, që do marrë votëbesimin e plotë. Unë këtë mekanizëm di”, u shpreh Berisha.