SHBA nuk mund të shkojë në Hënë pa Europën. Kështu është shprehur ministrja gjermane e Hapësirës, Dorothee Bär, e cila tha se teknologjitë europiane mbeten thelbësore për misionet amerikane dhe se “pa ne nuk bëhet”.
Në një intervistë për Politico, Bär tha se Gjermania dhe Europa vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në programet hapësinore amerikane, duke theksuar se bashkëpunimi mes dy palëve mbetet i domosdoshëm.
“Gjermania dhe Europa ofrojnë teknologji kritike për misionet amerikane në hapësirë. Prandaj mund të themi me besim: pa ne nuk bëhet”, u shpreh ajo.
Ministrja solli si shembull Modulin Europian të Shërbimit për anijen Orion të NASA-s, duke thënë se pa të, Shtetet e Bashkuara nuk do të mund të realizonin misionet drejt Hënës. Moduli siguron energjinë elektrike, shtytjen, kontrollin termik, ajrin dhe ujin për anijen dhe montohet në Bremen të Gjermanisë në kuadër të një programi të Agjencisë Europiane të Hapësirës.
Ajo përmendi gjithashtu kompaninë gjermane Jena-Optronik, e cila prodhon pajisje navigimi që ndihmojnë Orion të përcaktojë orientimin në hapësirë.
Deklaratat e Bär vijnë në një kohë kur në të dy anët e Atlantikut po diskutohet gjithnjë e më shumë për pavarësinë teknologjike dhe kontrollin mbi teknologjitë strategjike. Sipas saj, varësia nuk është vetëm e Europës nga SHBA, por funksionon në të dy drejtimet.
Duke folur për garën globale në hapësirë, ministrja gjermane tha se Perëndimi nuk duhet të nënvlerësojë rivalët e tij.
“Flasim shumë për Shtetet e Bashkuara. Në të njëjtën kohë nuk duhet të harrojmë se në anën tjetër po formohet një aleancë e fortë mes Rusisë, Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit. Nuk dua që këto vende ta fitojnë garën në hapësirë”, tha ajo.
Bär shprehu gjithashtu rezerva për rregulloret e reja europiane në sektorin e hapësirës, duke argumentuar se burokracia mund të pengojë zhvillimin e kompanive europiane.
“Ne duam të ulim burokracinë, por në të njëjtën kohë vazhdojmë të krijojmë kërkesa të reja”, tha ministrja, duke shtuar se Gjermania po përgatit një ligj të ri kombëtar për hapësirën me synimin për të përshpejtuar zhvillimin dhe përdorimin e teknologjive të reja.