Çunat e ‘barit’ me makina luksoze për në protestë, skedohen nga policia. Priten hetime në bashkëpunim me autoritetet e huaja

Krim & Korrupsion

Publikuar: 20/06/2026

Çunat e ‘barit’ me makina luksoze për në protestë, skedohen nga policia. Priten hetime në bashkëpunim me autoritetet e huaja

Strukturat e Policisë së Shtetit dhe Shërbimi Informativ Shtetëror mësohet se kanë identifikaur një listë të gjatë shqiptarësh, të dyshuar për veprimtari të paligjshme në Britaninë e Madhe dhe vendet e BE-së, të cilët i janë bashkuar autokolonës së shqiptarëve të diasporës, të nisur nga Londra dhe vende të tjera drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar protestës së sotme në Tiranë. Policia e Shtetit ka bërë fillimisht identifikimin e të gjithë personave që kanë hyrë në pikat doganore, për të marrë pjesë në protestë, ndërsa janë këqyrur edhe llogaritë e tyre në rrjete sociale.

Sipas burimeve, gjatë dy ditëve të fundit, mes emigrantëve që kanë hyrë në Shqipëri, në rrugë tokësore, detare dhe ajërore, janë identifikuar personazhe të përfshirë në trafiqe, pastrim parash, vjedhje dhe të ashtuquajtur çunat e shtëpive të barit. Policia ka identifikuar edhe makinat e tyre luksoze mes autokolonës me automjete të mbuluara me flamuj kuqezi.

Sipas burimeve, strukturat e policisë do të nisin një hetim për çdo element i përfshirë në veprimtari të paligjshme në Britaninë e Madhe dhe vendet e BE, duke përfshirë pasuritë e mundshme në Shqipëri, transaksionet, pasuritë dhe aktivitetin e familjarëve. Në bazë të rezultateve, policia do të referojë materiale në SPAK dhe prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm.