9 protestues janë nën hetim dhe do procedohen në gjendje të lirë. Kështu bën me dije Policia e Tiranës, pas tubimit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme.
Blutë argumentojnë se ata kanë vijuar të qëndrojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përtej orarit të lejuar duke penguar qarkullimin e automjeteve.
“Këta shtetas kanë qëndruar në tejkalim të orarit të njoftuar për zhvillimin e tubimit, si dhe kanë zaptuar hapësirën publike, duke vendosur karrige metalike dhe sende të tjera në bulevard.
Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë për lirimin e hapësirës së zënë dhe respektimin e dispozitave ligjore, ata kanë refuzuar të largohen dhe kanë vijuar qëndrimin në këtë zonë”, sqaron Policia.
Për sa më sipër, policia thotë se vijon puna për identifikimin e personave të tjerë përgjegjës për veprime të tilla gjatë tubimit.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”.