Nga Mero Baze
Edi Rama ka ngatërruar gjithë dynjanë në përpjekje për të shpjeguar çfarë është algoritmi i rrjeteve sociale në raport me të vërtetat e protestës. Pas kësaj shikoj gjithë median kundër Ramës që ka shpallur heronjtë e algoritmit: një vajzë që ka qenë në Big Brother dhe makinat luksoze, kryesisht Range Rover dhe automjete të tjera, me të cilat po udhëtojnë çunat e Londrës drejt Shqipërisë.
E besoj se të dyja janë fituese të algoritmit. Akoma më shumë se ata, kanë bërë punë ditët e para emri i Ivanka Trump dhe Jared Kushner.
Nga ana psikologjike protesta është bërë vendi i pelegrinazhit për këdo që ka një dështim në jetë dhe është i bindur se nuk do ta kishte këtë dështim sikur të mos ishte kjo qeveri dhe kjo opozitë. Ajo është alibia më e madhe e njerëzve të dëshpëruar të këtij vendi nga dështimet e tyre në jetë, madje dhe e emigrantëve që kanë makina luksoze. Kurrë Shqipëria nuk ka pasur një tribunë të tillë e cila, si një Big Brother mbarëkombëtar, tregon se çfarë u ka ndodhur shqiptarëve këto 35 vjet. Këtë algoritëm s’e kalon dot njeri.
Kjo ka të bëjë me popullaritetin e protestës dhe jo me objektivat e protestës. Popullariteti i protestës është një betejë e fituar 100 herë më shumë se sa është në të vërtetë kundër qeverisë. Tani, nëse është dita të ndajmë medalje për këtë, mund t’ia japim dhe Ivankës dhe Kushnerit, dhe kësaj vajzës së Big Brother-it dhe makinave të çunave të Londrës, kujtdo.
Qeveria nuk duhet të hyjë në këtë garë, se në fakt nuk i prish as punë. Fakti që protestat janë bërë shumë herë më popullore se sa janë realisht, nuk ka arsye ta shqetësojë.
Kështu siç është, me heronj të marrë hua, dikush me kamion nga Kosova, dikush me makina luksoze nga London, dikush me Instagram a Facebook e dikush me media serioze ndërkombëtare, protesta nuk ka arsye të jetë shqetësim për qeverinë.
Protesta ka axhendën e saj dhe sot është dita që u është dhënë hua emigrantëve me makina luksoze që shëtisin në bulevard, shumica anëtarë të PD, Albin Kurti dhe koalicionit VLEN nga Maqedonia e Veriut, të cilët para nisjes kanë postuar dhe video me kuaj dhe flamuj që niseshin të çlironin Shqipërinë. Nesër mund të ketë aktorë dhe heronj të tjerë.
Qeveria nuk ka pse përzihet as me heronjtë as me aktorët e marrë hua. Ajo do të ketë punë me protestën kur të përballet me frymën e saj në zgjedhje dhe me aktorët realë politikë që do të shfaqen si përfaqësues të saj. Deri atëherë, “Big Brother-i” do të vazhdojë dhe debati për shikueshmërinë është pa kuptim.
Qeveria ka punë vetëm me objektivat e protestës. Aty mbaron Big Brother-i dhe fillon politika.