VIDEO/ Protestuesit shkuan në ‘fan zone-n’ e botërorit/ Reagon Rama: Mendojnë se kanë të drejtë të frikësojnë të tjerët për hir të atdheut

Aktualitet

Publikuar: 17/06/2026

VIDEO/ Protestuesit shkuan në ‘fan zone-n’ e botërorit/ Reagon Rama: Mendojnë se kanë të drejtë të frikësojnë të tjerët për hir të atdheut


Kryeministri Edi Rama ka reaguar përsëri për protestat që po zhvillohen në kryeqytet.

Në një postim në Facebook, ai ka publikuar një video ku shihen protestues që u kërkojnë me thirrje t’i bashkohen protestës disa qytetarëve që po ndjekin ndeshjet e Botërorit 2026.

Rama thotë se intimidimi paraqitet si aktivizëm dhe linçimi publik i tradhëtarëve si drejtësi e Zotit në emër të popullit.

Postimi i Ramës:


NJË NGA MËSIMET E VYERA TË HISTORISË është se ekstremizmi e kërkon pushtetin duke filluar me rrugën. 

Një grup vendos se ka të drejtë të frikësojë të tjerët për hir të atdheut. Britma zë vendin e argumentit. Rrethimi zë vendin e dialogut. Intimidimi paraqitet si aktivizëm dhe linçimi publik i tradhëtarëve si drejtësi e Zotit në emër të popullit.

Kështu vepruan lëvizjet ekstremiste në Europën e paraluftës dhe kështu bëjnë edhe sot, duke e rritur eksponencialisht presionin mbi hapësirën demokratike falë rrugëve pa kontroll të internetit

Kush nuk mendon si turma bëhet objekt i bullizmit masiv online, i fyerjeve, kërcënimeve, linçimit publik dhe fushatave të organizuara të damkosjes. Qëllimi nuk është debati. Qëllimi është heshtja. Të krijohet një klimë ku njerëzit zgjedhin të heshtin, jo sepse nuk kanë ç’të thonë, por sepse kostoja e të folurit bëhet shumë e lartë.

Historianët bien dakord se terrori i rrugës fillon me akte që duken “të vogla”, me sharje, intimidim, poshtërim publik, marshime rrugësh automobilistike dhe sulme të përzgjedhura ndaj individëve, ndërkohë që turma digjitale shumëfishon frikën dhe presionin.

Videoja më poshtë nga qendra e Tiranës mbrëmë flet vetë dhe është një tjetër pasqyrë ku mund të shihet çdokush që sheh qytetari demokratike në fjalorin e kësaj proteste, që nga tribuna e sharjeve, tek koret e linçimeve dhe ulërimat e marshuesve.