Deputetja Marjana Koçeku ka munguar në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, por deklarata e saj drejtuar grupit kriminal të Bajrave është bërë çështje diskutimi. Ishte deputetja e PD, Albana Vokshi e cila ngriti pyetjen se çfarë garancie kanë qytetarët e thjeshtë kur krimi i organizuar kërcënon një deputete.
“Nëse krimi i organizuar është në gjendje të ushtrojë kërcënime ndaj një deputeteje, një gruaje, atëherë çfarë ndodh me qytetarin e thjeshtë. Çfarë garancie kanë qytetarët e zakonshëm, dhe ky nuk është problem vetëm i rendit publik, por është një çështje që prek drejtpërsëdrejti integrimin e BE”, tha Vokshi.
Përgjigjen e mori nga kryetari i Komisionit, Igli Hasani, i cili është edhe reagimi i parë i PS për këtë çështje. Hasani tha se kushdo që ndihet i kërcënuar duhet t’i drejtohet Policisë së Shtetit dhe se reagimet në Instagram nuk janë punë për to.
“Kushdo që ndihet e kërcënuar, kushdo që ka indicie duhet t’i drejtohet organeve, Policisë së Shtetit, nëse ka edhe një indicie. Se kush zgjedh instagramin për të bërë deklarata, kjo nuk është puna ime fare. Duhet ti drejtohen policisë së Shtetit”, tha Hasani.