Është arrestuar në Belgjikë, Gerd Gjinari i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm.
Sipas informacioneve, Gjinarari është dënuar në Itali për vrasjen e Naim Zyberit në 1997, ngjarja u regjistrua në një spital në Milano, ku Zyberi po merrte trajtim mjekësor. Dyshohet se Gjinarari dhe Arben Grori hynë në dhomën e spitalit duke u paraqitur si të afërm dhe e vranë.
Në lidhje me këtë ngjarje, Gjinarari u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykatat italiane dhe në vitin 2014 u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin.
Në 2019, ai u lirua me kusht nga Gjykata e Korçës, më pas, Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin e lirimit, duke urdhëruar rikthimin e tij në burg për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit. Pas këtij vendimi, Gjinarari nuk u paraqit për ekzekutimin e masës dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar. Teksa është arrestuar në Belgjikë, pritet tashmë ekstradimi drejt vendit tonë për të shlyer dënimin.