Ilir Shtufi kundërshton ekstradimin në Shqipëri, mbetet në paraburgim në Selanik

Kronike

Publikuar: 15/06/2026

Ilir Shtufi kundërshton ekstradimin në Shqipëri, mbetet në paraburgim në Selanik

Ilir Shtufi, i arrestuar pak ditë më parë në Selanik në kuadër të operacionit të autoriteteve shqiptare kundër një grupi të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave, ka kundërshtuar ekstradimin e tij në Shqipëri.

Mediat greke raportojnë se 53-vjeçari shqiptar, i arrestuar në bazë të një Njoftimi të Kuq Ndërkombëtar të Interpolit, u paraqit para Prokurorisë së Apelit në Selanik, ku deklaroi se nuk pranon të ekstradohet dhe mohoi çdo përfshirje në akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Autoritetet shqiptare e kërkojnë Shtufin për veprat penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, pjesëmarrjes në organizatë kriminale dhe aktiviteteve të lidhura me trafikimin e lëndëve narkotike. Sipas kërkesës së ekstradimit, veprat për të cilat ai dyshohet lidhen me aktivitet të zhvilluar në vitin 2020 në Tiranë.

Gjykata greke vendosi që Ilir Shtufi të mbetet në paraburgim deri sa Këshilli Gjyqësor kompetent të shqyrtojë dhe të marrë një vendim përfundimtar mbi kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij.

Sipas raportimeve, Shtufi kishte hyrë në Greqi përmes pikës kufitare të Kapshticës pak përpara operacionit të zhvilluar nga SPAK dhe BKH në Shqipëri, ndërsa arrestimi i tij u realizua në një hotel në Selanik pas informacioneve të shkëmbyera mes autoriteteve shqiptare, greke dhe Interpolit.