As 2 mijë as 200 mijë, ja sa njerëz ishin në protestën më të madhe të ‘revolucionit të flamingove’ dhe disa taktika manipulimi

Aktualitet

Publikuar: 14/06/2026

As 2 mijë as 200 mijë, ja sa njerëz ishin në protestën më të madhe të ‘revolucionit të flamingove’ dhe disa taktika manipulimi

Ka një debat sa i takon pjesëmarrjes në protestat e përnatshme para Kryeministrisë, të nisura dy javë më parë pas një episodi dhune në Zvërnec, por që shumë shpejt morën karakter politik, me parullën dominuese ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’. Numri i pjesëmarrësve jo domosdoshmërisht është përcaktues për arritjen e qëllimit të protestës. Gjithsesi, ka një dakordësi se protesta e mbrëmshme, dita e 14, ishte më e madhja që kur startoi ‘revolucioni i flamingove’.

Sali Berisha tha sot se në shesh ishin 200 mijë vetë. Analisti Andi Bushati pretendon se ishin 60-70 mijë vetë. Nga qarqet e pushtetit thuhet se ishin 2-3 mijë vetë. Pamjet më të sakta dhe të vërteta të protestës janë filmimet me dron, të cilat paraqesin një pamje të protestës në kohë të ndryshe dhe gjithnjë nga fillimi deri në fund. Një pamje me dron në kulmim e protestës, rreth orës 21, bazuar në të dhënat e një programi specifik AI, tregon për 15 mijë pjesëmarrës.

Pamjet tregojnë për një hapësirë me protestues në bulevard nga Ura e Lanës deri tek Kryeministria. Ndërkaq, një pamje tjetër, rreth orës 18 e 30 minuta, tregon për një numër të paktët protestuesish. Ndyshimi tregon se numri i protestuesve ka nisur të shtohet nga ora 19 deri në orën 21.

Kjo qasje, fotografimi i të gjithë protestës nga lart në orare të ndryshme, është më afër të vërtetës. Ndërkaq, disa media manipulojnë publikun sa i takojnë pasqyrimit të protestës. Ato publikojnë pamje jo të plota për të krijuar preceptimin e një proteste më të madhe se sa është në të vërtetë. Së pari, filmimi është pranë kokave të protestuesve. Së dyti, në pamjet filmike nuk jepet fundi i grumbullimit të protestuesve.