Takime në Spanjë, Monako, Belgjikë, Gjermani, Aruba dhe vende të tjera janë dokumentuar nga autoritetet belge dhe janë bërë pjesë e dosjes së Prokurorisë së Posaçme ndaj grupit kriminal të drejtuar nga Alfredo Hamzai.
Sipas SPAK-ut, një nga personat kyç në këto lëvizje ndërkombëtare rezulton Artur Shehu, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në takime ku planifikohej blerja, transportimi dhe futja në Evropë e sasive të mëdha të kokainës.
“Në këto takime, ndër të tjera dhe në shkallë të ndryshme pjesëmarrjeje, marrin pjesë shtetasit Adrian Rama, Elton Memeti, Erjon Rama, Leonard Bishaj, Bujar Shehaj, Alfredo Hamzai dhe Pëllumb Petritaj”, thuhet në dokumentet hetimore.
Një seri takimesh të zhvilluara në Majorka gjatë vitit 2019 mblodhën disa prej figurave kryesore të grupit, mes tyre Adrian Rama, Elton Memeti, Toni Lipaj, Artur Shehu, Arben Ismailaj, Klodjan Jahja dhe Bujar Shehaj. Në disa prej tyre ka marrë pjesë edhe biznesmeni kosovar Bashkim Osmani.
Sipas dosjes, këto takime janë zhvilluar pak muaj përpara operacionit të janarit 2020 në Barcelonë, ku autoritetet sekuestruan 441 kilogramë kokainë dhe arrestuan kushëririn e Alfredo Hamzait.
Një tjetër takim i rëndësishëm është zhvilluar në Monako, ku sipas hetimeve është diskutuar koordinimi i trafikimit të kokainës nga Surinami drejt Evropës. Në këtë takim kanë marrë pjesë Alfredo Hamzai, Adrian Rama, Elton Memeti, Artur Shehu dhe Arben Ismailaj.
Por dosja nuk ndalet vetëm te trafiku i drogës.
Sipas informacioneve të mbërritura nga autoritetet belge, disa takime të zhvilluara gjatë vitit 2019 kishin në fokus investimin e fitimeve të dyshuara nga narkotrafiku në sektorin e pasurive të paluajtshme në Shqipëri.
Në Antverp, mes datave 12 dhe 14 shkurt 2019, Adrian Rama, Elton Memeti, Arben Ismailaj dhe Alfredo Hamzai dyshohet se diskutuan investime të tilla, ndërsa një tjetër episod që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve lidhet me qëndrimin e disa anëtarëve të grupit në Aruba, në Antilet Holandeze.
Sipas dokumenteve të referuara nga SPAK, gjatë periudhës 24-31 janar 2019, Arben Ismailaj, Elton Memeti, Adrian Rama, Artur Shehu dhe Bujar Shehaj kanë qëndruar në Aruba, ku autoritetet belge raportojnë për “takime me funksionarë të lartë shtetërorë shqiptarë”.
Në bazë të materialit hetimor, këto kontakte dyshohet se lidhen me projekte të pasurive të paluajtshme në Tiranë dhe në jug të vendit, potencialisht të financuara me fonde të paligjshme dhe me mbështetje politike.
Megjithatë, SPAK sqaron se në këtë fazë nuk paraqiten prova që identifikojnë funksionarët e përfshirë apo që vërtetojnë pjesëmarrjen e tyre në veprimtari të paligjshme.
Hetuesit belgë e konsiderojnë Artur Shehun si një figurë drejtuese brenda organizatës, me rol në koordinimin e trafikimit të kokainës dhe mbikëqyrjen e investimeve të dyshuara në pasuri të paluajtshme.