Dosja “Black Eagle”, takimet e Artur Shehut në Aruba, Belgjikë e Spanjë dhe lidhja me Bashkim Osmanin

Kryesore

Publikuar: 14/06/2026

Dosja “Black Eagle”, takimet e Artur Shehut në Aruba, Belgjikë e Spanjë dhe lidhja me Bashkim Osmanin

Detaje të reja nga dosja hetimore “Black Eagle” (Shqiponja e Zezë), ku figurë qendrore rezulton Alfredo Hamzai, hedhin dritë mbi aktivitetin ndërkombëtar të Artur Shehut, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të fundit të SPAK kundër një grupi të dyshuar për trafik kokaine dhe pastrim parash.

Sipas materialeve hetimore, Artur Shehu ka zhvilluar një sërë udhëtimesh dhe takimesh në vende të ndryshme, përfshirë Arubën, Belgjikën dhe Spanjën. Sipas dosjes, këto takime kishin në fokus çështje që lidhen me trafikun e kokainës, por edhe investimet që parashikohej të kryheshin në ndërtimin e zonave rezidenciale në jug të Shqipërisë.

Një nga episodet e dokumentuara në dosje lidhet me një takim ku mori pjesë edhe Bashkim Osmani, një emër kontrovers që prej vitesh është përfolur për lidhje me rrjete të narkotrafikut. Sipas dokumenteve, ky takim është përgjuar nga autoritetet në kuadër të hetimeve të dosjes “Black Eagle”.

Në një prej faqeve të dosjes thuhet se në vitin 2019 janë zhvilluar takime ku kanë qenë të pranishëm Bashkim Osmani, Toni Lipaj, Artur Shehu, Klodjan Jahja, Bujar Shehaj dhe Adrian Rama. Sipas hetuesve, këto takime janë zhvilluar përpara operacionit antidrogë të realizuar në Barcelonë në janar të vitit 2020, ku u sekuestruan 441 kilogramë kokainë dhe u arrestua Indrit Kulaj, kushëriri i Alfredo Hamzait.

Dosja nënvizon se ky nuk ishte një takim i izoluar, por pjesë e një serie takimesh të zhvilluara gjatë vitit 2019 me të njëjtin qëllim.

Një element tjetër që del në pah nga dokumentet është fakti se Bashkim Osmani rezulton i lidhur me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Emri i Osmanit është përmendur ndër vite në raportime dhe hetime të ndryshme që kanë tërhequr vëmendjen e autoriteteve në disa vende.

Takimet e dokumentuara nga hetuesit, lidhjet mes personave të përfshirë dhe investimet e përfolura në jug të vendit përbëjnë një pjesë të materialit që po analizohet në kuadër të hetimeve për rrjetin e dyshuar kriminal, i cili sipas SPAK operonte në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe në pastrimin e të ardhurave të dyshuara kriminale.