Ish gjyqyari Alaudin Malaj pranoi në një studio televizive se gjatë kohës kur ushtronte detyrën e gjyqtarit është përfshirë në afera korruptive. Malaj, i cili ia mbathi nga drejtësia nga frika e përballjes me Vetingun, pranoi indirekt se e ka përdorur çekiçin e gjyqtarit për të vjedhur teksa tha; Çfarë të bëj, të vjedh prapë?!’. Tokfjalëshi ‘të vjedh prapë’ nënkupton se subjekti ka vjedhur më parë, pra ka kryer një vepër penale. Në këtë rast, ish gjyqtarit Malaj, i cili rezulton në grupin e bashkëpronarëve të tokave në Zvërnec, duket se i ka folur subkoshienca.
Alaudin Malaj perceptohet si një ndër ish gjyqtarët më të korruptuar të sistemit të drejtësisë. Ka dyshime se Malaj ka bërë miliona euro me vendime në këmbim të parave dhe aseteve. Ka dyshime se një pjesë të parave të korrupsionit Malaj po i pastron në forma të ndryshme pas largimit nga sistemi, ndërsa ka hapur disa kompani, përfshirë edhe kompani ndërtimi.
Ndërkaq, SPAK ka nisur kryesisht hetimet për investimin turistik në Zvërnec. Në skenë del edhe Alaudin Malaj, i cili mund të jetë mes personave që Altin Dumani mund të kërkojë të arrestohen për tjetërsimin e pronave në Zvërnec. Malaj kamuflohet me kompaninë “AM-Invest”, e cila zotëron 25 mijë metra katrorë tokë. Kjo kompani është në pronësi të familjes së Alaudin Malajt, ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit Tiranë. Ish-gjyqtari zotëron 25% të aksioneve, të dhuruara nga nëna e tij, ndërsa pjesa tjetër kontrollohet nga babai dhe vëllai i tij.
Malaj ka gjithashtu një histori me pronat në këtë zonë, pasi ka dhënë dy vendime lidhur me to. Një vendim civil në vitin 2013, që i njohu familjes Shehu 156 hektarë tokë në këtë zonë, duke përmbysur vendimin e Shkallës së Parë; si dhe një vendim penal në vitin 2019, ku ai, në cilësinë e relatorit – në një trup gjykues ku bënin pjesë edhe ish-gjyqtari Agim Bendo e ish-gjyqtarja Shpresa Beçaj – pushoi çështjen për falsifikim dokumentesh ndaj Pëllumb Petritajt. Të dyja këto vendime u kthyen për rigjykim nga Gjykata e Lartë, e cila konstatoi probleme në arsyetim.
Ka dyshime të forta se në këmbim të këtyre vendimeve, Alaudin Malaj të ketë marrë sipërfaqe toke nga Artur Shehu. Malaj dha dorëheqjen në vitin 2020 dhe u përjashtua nga sistemi i drejtësisë nga procesi i vetingut në shkurt 2021. Me rreth 1.7 milionë euro pasuri të deklaruar, ai konsiderohej një nga gjyqtarët më të pasur në Shqipëri. Gjatë procesit të vetingut, Malaj pretendoi se po bëhej viktimë e një komploti.