Gjatë operacionit u sekuestruan 7 armë zjarri, konkretisht 4 pistoleta dhe 3 automatikë, si dhe municion luftarak dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë hetimit.
Një grup kriminal që shiste armë zjarri, është goditur nga Policia në Tiranë.
Si rezultat i operacionit, janë arrestuar katër persona dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë, të dyshuar si pjesë e grupit kriminal.
Policia ka vënë në pranga Marsel Varka, Elsaed Maqinaj, Fabian Zako dhe Kristaq Biba, ndërsa Kevin Vila dhe Bledar Avdillari ndodhen në kërkim.
Më herët, policia ka vënë në pranga 5 të tjerë, Donati Jaku, Florian Gjeta, Urim Meta, Ligor Mehmeti dhe Klodian Mustafa. Grupi merrej me sigurimin dhe shitjen e armëve e municioneve.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, së bashku me pesë persona të arrestuar më parë, vepronin të organizuar për sigurimin dhe shitjen e armëve të zjarrit, lëndëve plasëse dhe municionit në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Finalizohet operacioni i koduar “Rrjeti”, për goditjen e një grupi kriminal që shiste armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion, në Tiranë.
Njoftimi i policisë
Operacioni i finalizuar nga Komisariati Nr. 4, si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Vihen në pranga 4 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Sekuestrohen 7 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
✅Gjatë të gjithë periudhës hetimore dhe aksioneve policore, me objektiv goditjen e veprimtarisë kriminale të këtij grupi, në total, janë vënë në pranga 9 shtetas, si dhe janë sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpë lëndë plasëse, sasi e madhe municioni, 4 automjete dhe 13 celularë.
Në vijim këtij hetimi, si dhe në kuadër të operacionit “Rrjeti”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 ekzekutuan urdhrat e Prokurorisë së Tiranës, për ndalimin e shtetasve M. V., 35 vjeç, E. M., 25 vjeç, F. Z., 29 vjeç dhe K. B., 32 vjeç.
Më tej, u shpallën në kërkim shtetasit K. V., 21 vjeç dhe B. A., 28 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se 6 shtetasit e identifikuar gjatë operacionit “Rrjeti”, së bashku me shtetasit e arrestuar më parë, D. J., F. Gj., U. M., L. M. dhe K. M., të organizuar si grup, kanë siguruar dhe kanë shitur në zona të ndryshme të kryeqytetit, armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion luftarak.
6 shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 7 armë zjarri (4 pistoleta dhe 3 automatikë), municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit, i cili vijon për të identifikuar shtetas të tjerë të përfshirë në grup, si dhe për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të grupit.
Gjithashtu, vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme