6 ditë i zhdukur / Egland Koçi u kor peng nga Armand Shakaj. Në makinë njolla gjaku, pistë përfshirja në kripto

Kryesore

Publikuar: 09/06/2026

6 ditë i zhdukur / Egland Koçi u kor peng nga Armand Shakaj. Në makinë njolla gjaku, pistë përfshirja në kripto

Eglant Koçi, një 34-vjeçar të cilin familjarët e kishin denoncuar të zhdukur në polici më 5 qershor, dyshohet se është marrë peng dhe ende nuk ka gjurmë të tij. Nga hetimet e policisë ka dyshime të forta se personi që e ka marrë peng të riun, të jetë 41-vjeçari Armand Shakaj, i shpallur në kërkim. Për këtë, dyshohet se është ndihmuar nga një 25 vjeçar, Enea Zyferi, i vënë në pranga. Ai është kamerier në lokalin në pronësi të të kërkuarit, Shakaj.

Deri më tani, policia ka arritur të gjejë motorin e 34-vjeçarit të zhdukur, Eglant Koçi dhe vendin ku ai është mbajtur, të cilin policia nuk e bën të ditur për shkak të hetimeve. Nga kamerat e sigurisë, është parë që prej aty del me makinë autori i dyshuar Armand Shakaj dhe dyshimet janë se me vete në automjet, të ketë pasur edhe pengun. Ky automjet është gjetur dhe është sekuestruar si provë materiale. Në makinë, burime policore thonë se konstatuar njolla gjaku, por nuk ka ende një pistë për fatin e tij. Kontrollet janë kryer nëpër periferi të Tiranës, deri në Dajt dhe drejt Elbasanit. Asgjë deri më tani nuk është gjet për fatin e tij.

Policia tha në një njoftim zyrtar, se ka bërë kontroll të imtësishëm në ambientin ku është mbajtur i riu, por edhe në ambiente të tjera por deri më tani ai nuk është gjetur. Sipas bluve të Tiranës, i dyshuari ka larguar nga vendi ku ishte parkuar fillimisht motorin e të zhdukurit. Ai u gjet në rrugën 5 Maji në Tiranë, 2 ditë më parë.Eglant Koçi është zhdukur më 4 qershor, dhe për herë të fundit është parë në zonën pranë sheshit “Willson” në kryeqytet, teksa po lëvizte me motorin e tij me targa “CT969”. Policia ka arritur të gjejë nga kamerat e sigurisë edhe disa episode të lëvizjes së tij me motor nëpër Tiranë. 

Koçi nuk rezulton me precedent, dhe mbetet i paqartë konflikti. Ai rezultonte i punësuar në një biznes mobilierie, por dyshohet se mund të jetë përfshirë në tregti të kriptovalutave, një prej pistave ku po hetohet.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku është futur 34-vjeçari, ambient nga i cili më pas ka dalë autori i dyshuar dhe mund të ketë marrë me vete, me automjet, 34-vjeçarin. Është ushtruar kontroll i imtësishëm në ambientin e dyshuar, ku dyshohet se mbahej peng 34-vjeçari, si dhe në shumë ambiente të tjera dhe në terren, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e 34-vjeçarit.

Po nga veprimet hetimore ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka larguar motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht. Automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. Z., 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin në këtë rast. Shërbimet e Policisë po vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e shtetasit E. K”, njoftoi Policia. 

Kamerieri i arrestuar i pengmarrësit, Enea Zyferi deri më tani nuk ka dhënë detaje që mund të ndihmojnë më tej policinë, por ka dyshime se ka qenë me shefin e tij, kur 34-vjeçari është mbajtur peng.