Gjykata e Posaçme vendosi të shtyjë sot seancën e radhës të gjykimit në themel të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për shkak të mungesës së avokatëve të disa të pandehurve të tjerë në çështje.
Pas seancës, Plarent Ndreca, avokati mbrojtës i Veliajt, tha se do të bëhet gjithçka për ta vendosur këtë proces në shinat e një procesi të rregullt ligjor. Ai e quajti të padrejtë dhe shkelje pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn, duke qenë se kryebashkiaku ka qenë gjithmonë i përfaqësuar para gjykatës dhe nuk ka munguar asnjëherë.
Nga ana tjetër, Ndreca e cilësoi mbajtjen në kafazin e qelqtë si antikushtetues që cënon dinjitetin e Veliajt, ndërsa gjykata po vepron në kundërshtim me atë çfarë thotë Komiteti i Helsinkit dhe Gjykata e Strasburgut.
Ai e quajti mungesë transparence edhe faktin që gjykata nuk lejon transmetimin me kamera të procesit gjyqësor.
Deklarata e plotë e avokatit Ndreca për gazetarët:
Ndreca: Sot ishte një nga betejat e radhës së kësaj lufte për ta vendosur këtë proces në shinat e një procesi të rregullt ligjor. Dua t’ju kujtoj faktin se ky proces ka filluar i helmuar, që në fillim, nga një kallëzim anonim, nga një kallëzim i falsifikuar… Ne kemi bërë kërkesë për të marrë nga prokuroria mënyrën se si është administruar ky kallëzim, akoma nuk e kemi këtë kallëzim. Ka shkelje të rënda proceduriale gjatë gjithë hetimit gjyqësor, ka mungesë transparence.
Ju e patë, edhe sot u refuzua përsëri pa kontradiktoritet mes palëve, kërkesa e mediave për të bërë transparencë. Unë mendoj se ky proces duhet të zhvillohet në dritën e diellit, duhet të zhvillohet në sy të kamerave, të publikut, për shkak të rëndësisë së posaçme që ka vetë z. Veliaj, si i zgjedhur nga qytetarët e Tiranës, për shkak të faktit që ka muaj të tërë që në një frëngji e SPAK ka dalë informacioni i vazhdueshëm mbi arsyet të njëanshme të Prokurorisë. Tashmë, nuk ka asnjë pengesë që të gjithë qytetarët të shohin anën tjetër të medaljes, atë çfarë ne do pretendojmë, atë çfarë ne kërkojmë. Ju jeni prezentë, fatkeqësisht pa kamera dhe pa transmetim live të kërkesave tona, të cilat janë të gjitha kërkesa të lidhura me zbatimin e standardeve të larta të Gjykatës së Strasburgut.
Jeni dëshmitarë të faktit që çdo kërkesë që ne kemi bërë ka marrë kohën e vet, por ka marrë përgjigjen e duhur, siç patë edhe sot, që mori përgjigjen e duhur fakti që ne akoma kemi 24 fashikuj të panjohur dhe sot Gjykata na e dha mundësinë që t’i njohim pasi kanë kaluar disa muaj. Pra, kërkesat tona thjesht vonohen në kohë, por në fund konfirmohen, pasi janë kërkesa të cilat lidhen me zbatimin e standardeve të larta. Ne nuk kërkojmë gjë tjetër, përveç se standarde evropiane në mënyrën se si bëhet procesi. Nuk ka drejtësi pa proces të rregullt ligjor dhe kjo ka qenë kërkesa jonë e vazhdueshme dhe ne do e bëjmë betejën tonë për ta vënë në shinat e duhura këtë proces.
Kërkesa tjetër e radhës që ne do bëjmë është largimi i z. Veliaj nga kafazi, si një shkak që z. Veliaj nuk merr pjesë në këtë proces dhe vendosja e tij pranë avokatit, si një e drejtë kushtetuese e cila sot na dha konfirmimin e Komitetit të Helsinkit, i cili në komunikim me Gjykatën e Posaçme ka mbrojtur fort qëndrimin që të gjithë ata që nuk kanë një shkak të individualizuar për të qëndruar në kafazin e qelqtë, nuk duhet të qëndrojnë në kafazin e qelqtë. Z. Veliaj nuk është individualizuar në asnjë moment si një person i cili ka rrezikshmëri të caktuar apo mund të dëmtojë procesin e rregullt. Ashtu siç u konfirmua edhe në Gjykatën Kushtetuese ku ai ishte i lirë, ashtu edhe në Gjykatën Administrative ku ai ishte i lirë.
Pyetje: Ç’do të thotë, thënë thjesht për publikun, pezullim i afateve të paraburgimit? A është vendosur nga z. Veliaj dhe ju si mbrojtës që ai të bojkotojë e të mos paraqitet në proces, pikërisht për shkak të kafazit? Një pyetje tjetër në lidhje me një kërkesë që ju na thatë që e kemi dorëzuar në Këshillin e Lartë Gjyqësor përmes së cilit, kërkoni një shfuqizim të një vendimi të KLGJ, e cila thënë troç ka mbyllur dyert e drejtësisë për t’i aksesuar ato me kamera.
Ndreca: Duhet të bëj një korrigjim; nuk është bojkotim. Përkundrazi! Z. Veliaj e ka gjithë vullnetin, ka shprehur gjithë kohën që do të marrë pjesë në proces, por ai konsideron nga ana tjetër faktin që prezenca në një kafaz qelqi, ashtu siç thotë tashmë edhe Komiteti i Helsinkit dhe Gjykata e Strasburgut, cënon dinjitetin njerëzor të çdo individi që është në atë kafaz, shto këtu edhe faktin që z. Veliaj është edhe përfaqëues i 160 mijë qytetarëve të Tiranës. Dinjiteti i tij lidhet me dinjitetin e atyre qe e kanë votuar.
Për t’iu përgjigjur pyetjes së tretë. Po, kam dorëzuar një kërkesë në KLGJ ku i kam kërkuar pavlefshmërinë absolute të nenit 14 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e institucionit të qeverisjes së drejtësisë. Ai besoj është dhe neni i cili përdoret nga gjykatat si bazë për të mbyllur për median transmetimin e drejtpërdrejtë të këtij procesi.
Sa i përket pyetjes së parë, pezullimi i afateve të paraburgimit do të thotë se mos llogaritja e afateve të paraburgimit të z. Veliaj apo të çdokujt që i pezullohen në ditët që ai ka në maksimum e tij për të konsumuar brenda një procesi gjyqësor të shkallës së parë. Kështu që, kjo është në dëm të drejtpërdrejtë të së drejtës së tij për të qenë i lirë dhe për të mos e ndjekur procesin gjyqësor apo që të mos e zhvillojë procesin gjyqësor në burgim dhe, siç e patë sot, praktikisht ashtu siç e thashë dhe në seancë, shkak për pezullimin e afateve të paraburgimit është bërë z. Haxhia sepse avokati i një kompanie që ishte në gjyqin tonë praktikisht ishte për të mbrojtur zotin Haxhia në një gjyq tjetër për të ushtruar të drejtën e tij dhe kjo bëhet shkak për të pezulluar afatet e z. Veliaj i cili nuk ka asnjë lidhje as me avokatin as me personin dhe nuk ka asnjë kontribut që të mos zhvillohet procesi.
Ju jeni dëshmitarë të faktit që unë kam qenë në çdo proces gjyqësor dhe ne kemi qenë të gatshëm të vijojë procesi normalisht. Kështu që, ky është një absurd që ne vijojmë ta godasim në Gjykatë Apeli, do ta godasim në Gjykatë të Lartë, në Gjykatë Kushtetuese, deri në Strasburg.
Pyetje: Pra, ju i drejtoheni gjykatës që Veliaj të jetë i barabartë në seancë dhe jashtë kafazit. Ndërkohë, a po bëni lëvizje të tjera përveç kërkesave të gjykatës sepse deri tani nuk jeni marrë parasysh për të dalë nga kafazi i xhamit.
Ndreca: Ne do bëjmë çdo lloj kërkese për ta vënë këtë proces në shina kushtetuese. Sigurisht, vendimmarrja nuk është e jona; vendimmarrja është e gjykatës. Detyra jonë është të ekspozojmë çdo lloj problematike që ka ky proces gjyqësor në mënyrë që kur të kemi mundësi për të ankimuar ose për të apeluar, t’i kemi si argumenta, por pastaj sigurisht që ne do të ndjekim çdo hap procedurial për të futur pastaj edhe në themel, dhe ju do të jeni dëshmitarë të faktit se si do të rrëzojmë çdo lloj akuze që prokuroria ka artikuluar aktualisht për z. Veliaj.