Kryeministri Edi Rama është shprehur se para se të vinte në pushtet qeveria e tij, Vlora ishte në ditët e saj më të zeza.
Teksa përshkroi situatën në qytetin bregdetar, Rama tha se Vlora ishte me rrugë të pashtruara ku qytetarëve u rrezikohej jeta përditë.
Më tej teksa sulmoi opozitën dhe protestuesit që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, Rama tha se ka ardhur koha që në Shqipëri të bëhen investime të mëdha.
Me ironi Rama tha se dikur në Vlorë po të ktheheshe në zonën e quajtur Pusi i Mezinit, ‘rrezikoje të mbyteshe në Lumin e Vlorës. Dhe po të dilje gjallë, mushkonja ishte për ta zënë dashnore.’
“Në Sazan shqiptarët nuk shkonin dot deri dje se ishte bazë ushtarake. Shqipërinë 1 euro nuk e shpika unë, aty ishte. Më tregojnë mua këta honxhobonxho investimet strategjike. Dhe më thonë ‘po prishet Shqipëria nga investimet strategjike’. Por s’kishte investime strategjike Vlora kur erdhëm ne në detyrë. E mbani mend që ktheheshe te Pusi i Mezinit dhe papritur mund të mbyteshe në Lumin e Vlorës dhe mos ta gjeje dot ku ishte Vlora?”, tha Rama.
“Të hanin mushkonjat në Vlorë”, tha një qytetar.
“Po lere more mushkonjën, mushkonja ishte për ta zënë dashnore po të arrije gjallë. Po gropat në Lungomare? Më e bukura është se te Zvërneci ata nuk kanë kërkuar fare statusin e investitorit strategjik. Këta s’kanë as logjikë, janë dërrasë. Ne po na ikën tepeleku kokës, ku kemi terezi ne që të merremi me këta. Ata shikojnë IA dhe thonë do sjellë Rama palestinezët këtu bashkë me Netanyahun. Ne në 2027 do mbyllim negociatat me BE-në. Tani është koha që këtu të vijë para shumë më e madhe”, tha Rama.