Një kasafortë me dengje eurosh, ora floriri me diamand, bizhuteri të tjera me vlerë qindra mijëra euro, piktura, verëra të shtrenjta dhe sende të tjera me vlerë. Një grup grabitësisht profesionistë dhe të mirë informuar mësohet se kanë hyrë, bastisur dhe vjedhur çdo gjë me vlerë në një apartament të padeklaruar dhe të fshehur të Dritan Agollit, drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, më parë i punësuar pranë kompanive të oligarkut Bashkim Ulaj, përfituesit më të madh të parave dhe pronave publike, pjesë e disa dosjeve të SPAK-ut.
Disa burime të kryqëzuara konfirmojmë se ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë. Vjedhja është mbajtur e fshehtë. Agolli nuk ka bërë denoncim në polici, pasi një veprim i tillë mund t’a implikonte penalish dhe t’i hapte punë me SPAK-un, pasi apartamentin objekt vjedhje nuk e ka deklaruar pranë ILDKPKI, bashkë me paratë dhe sendet e vjedhura, të cilat nuk i justifikon me të ardhura të ligjshme. Apartanenti, paratë dhe sendet dyshohet se janë produkt i aferave korruptive të Dritan Agollit me tenderat e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Sipas të njëjtave burimeve, apartamentin Agolli e ka kamufluar në emrin e oligarkut Bashkim Ulaj, për të cilin ka firmosur tendera me vlerë rreth 30 milionë euro. Sipas burimeve, gjatë largimit, grabitësve u kanë rënë në hyrje të banesës dhe nëpër shkallët e pallatit disa sende me vlerë, përfshirë edhe një orë floriri me diamant, e cila është gjetur më pas nga një prej banorëve. Ka dyshime të forta se grabizësit, që besohet se funksionojnë si grup kriminal, janë sinjalizuar nga njerëz të afërt të Dritan Agollit.
Rrethana faktike, skemë korrupsioni me Bashkim Ulaj
Në janar të vitit 2019, Edi Rama emëroi Dritan Agollin drejtor të përgjithshëm të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ky fond tenderon në vit rreth 250 milionë euro. Më herët, Dritan Agolli ka qenë i punësuar pranë bizneseve të Bashkim Ulajt. Njohja dhe lidhja mes tyre është e provuar. Në 10 dhjetor të vitit 2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit me në krye Dritan Agollin shpall fituese kompaninë Gener 2 të Bashkim Ulajt për tenderin ‘Rikualifikimi urban pranë qendrës së qytetit Vlorë, Zona A drejtimi i kullës së Sahatit, Kulla e Sahatit dhe Sheshi i Flamurit’, me vlerë rreth 7 milionë euro.

Tre vjet më vonë, në dhjetor 2023, bashkëshortja e Dritan Agollit, Rovena Agolli, themelon kompaninë Agolli Audit & Consulting, me nipt M32405037S Emri i Subjektit: Agolli Audit & Consulting, me objekt auditim ligjor dhe joligjor të pasqyrave financiare për Institucione me interes publik, OJF, shoqëri tregtare, mbajtja e llogarive kontabël etj. Zyrat e kësaj kompanie rezultojnë pikërisht te kullat e Bashkim Ulajt, te diga e Liqenit në Tiranë. Bëhet fjalë për zyra luksoze, qiraja e të cilave kushton mijëra euro në muaj.

Faksimile: Bashkëshortja Dritan Agollit ka marrë zyra te pallatet e “Gener 2”
Ky nuk është episodi i vetëm. Në qershor të vitit 2020, djali i Dritan Agollit, Flladi Agolli, themelon kompaninë HMS, me adresë “Rruga e Kosovarëve, kompleksi rezidencial ‘Lake View’, ap. B202/2”, pra te kullat e Bashkim Ulajt. Kjo firmë ka si veprimtari menaxhimin e ambienteve publike dhe private, komplekseve turistike, pushuese dhe banimi. Madje, edhe administrim të sipërfaqeve publike dhe private ranore, plazhe dhe çdo shërbim i lidhur ngushtësisht me to.

Tre muaj më pas, në shtator 2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit me në krye Dritan Agollin ka shpallur fituese kompaninë Gener 2 të oligarkut Bashkim Ulajt për tenderin me objekt ‘Ndërtimi i Rrjetit Rrugor dhe Infrastrukturës Urbane të Zonës 1, Njësia Administrative Thumane”, Njësia Administrative Thumanë, Bashkia Krujë’, me vlerë rreth 5 milionë euro.

Skema e korrupsionit është e qartë. Dritan Agolli ka punuar më parë për kompaninë e Bashkim Ulajt. Pasi Agolli bëhet drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit i jep Bashkim Ulajt 12 milionë euro tendera. Nga ana e tij, Bashkim Ulaj i jep zyra Dritan Agollit për bizneset e gruas dhe të djalit, Rovena dhe Flladi Agolli.
Qoka për djalin dhe gruan me fondet publike
Flladi Agolli, djali i Dritan Agolli është pronar i një biznesi në Hamallaj, restorant.

Në foto: Restoranti i Flladi Agollit në Hamallaj. Në vitin 2023 ka dalë me humbje!
Nga të dhënat rezulton se kjo firmë, bashkë me restorantin “BEDOUIN”, janë në funksion të shfrytëzimit të një sipërfaqeje në plazhin e Hamallajt. Por, në bilancet e publikuara, rezulton se restoranti doli me humbje në vitin 2023! Një paradoks i madh, pasi është një nga vendet më luksoze dhe të shtrenjta në Hamallaj. Ndërkohë, firma HMS i doli me një fitim 2.3 milionë Agollit.
Sipas të dhënave në QKB, “BEDOUIN” ka dy vende të ushtrimit të aktivitetit, e para në Hamallaj në kompleksin “Vala Mar” dhe e dyta në rezidencën “Longhill”, Tiranë. Dy prej rezidencave luksoze, të cilat rrugët apo gjithçka tjetër po e bën Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Nga njëra anë babai jep miliona euro në shërbim të këtyre resorteve, nga ana tjetër djali zhvillon aktivitetet e biznesit në këto ambiente, teksa gruaja e tij bën bilance ligjore dhe jo ligjore!

Faksimile: Gruaja e Dritan Agollit është bashkëpronare në një firmë me gruan e Dashamir Pezës
Ndërkohë, biznesi i parë që ka pasur familja Agolli ka qenë “FASHION SILOUHETTE”, një biznes i ndarë me 50 % të aksioneve nga Rovena Agolli dhe 50 % nga Entela Peza, bashkëshortja e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza. Objekti i biznesit është tregti me shumicë e pakicë, import-eksport të materialeve industriale, ushqimore dhe makinerive në fushën e ndërtimit, agjenci turistike, hoteleri, bar, kafe etj.
Nisur nga bizneset e familjes, s’do mend që dy tenderët e FSHZH-së për të bërë restorante të kenë pasur ndikim. Fondi po bën me paratë e shtetit një restorant në zonën e Petrelës. Ndërkohë, FSHZH shpalli tenderin me vlerë 2 milionë euro për bare, restorante brenda Zonës së Mbrojtur të llixhave të Bënjës. Në atë vend bëri punime sporadike firma “Fusha”, të cilat po “mbulohen” nga fondi i majmë i akorduar nga Dritan Agolli. Të dhënat flasin se Fondi është kthyer në një “qokë” të madhe për familjen apo edhe për disa biznese të lidhur ngushtë me to.
Tendera për kompaninë e Dritan Agollit
Dritan Agolli ka qenë drejtor i urbanistikës më pas administrator i përgjithshëm i Bashkisë Tiranë, njëkohësisht anëtar i Bordit të UKT. Agolli ka themeluar kompaninë Magnum Opus Group shpk, me objekt Studime në nivelin strategjik, manaxherial dhe operacional, analiza, vrojtime, sondazhe, kërkime, vlerësime; Konsulencë, shërbime administrative dhe manaxhim projektesh për subjekte fizikë dhe juridikë etj.


Përmes kësaj kompania, kaluar më pas në emrin e familjarëve të tij, Dritan Agolli ka marrë qindra mijëra euro para publike me tendera që dyshohet se janë paracaktuar me pazar në tavolinë. Përpos të tjerave, në 21 nars 2019 kompania në pronësi të Dritan Agollit, Magnum Opus Group SHPK, ka lidhur kontratë në vlerën 178 milion lekë me UKT Tiranë, institucion publik ku më parë Agolli ka qenë anëtar bordi. Nga UKT është kontraktuar edhe kompania Goldsmath shpk, ku pronare ka qenë edhe bashkëshortja e Dritan Agollit, Rovena Agolli.

Agolli ka përfituar para publike me anë të kompanisë së tij edhe pasi Edi Rama e emëroi në krye të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Disa institucione të ndryshme publike i kanë kaluar dhjetëra mijëra euro në llogari të kompanisë së Dritan Agollit për konsulenca dhe hartim planesh, shërbime kryesisht fiktive. Ka dyshime të forta se Agolli ka marrë para përmes kartelit të kompanive të tij edhe nga Bashkim Ulajt, përmes kontraktimeve për shërbime fiktive, me anë të kompanive satelite të Ulajt, pasi Agolli ka firmosur tendera për oligarkun në cilësinë e drejtorit të FSHZH.