Violand Braçellari dyshohet se ka hapur zjarr nga pjesa e sipërme e stanit, duke qëlluar në drejtim të forcave policore.
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me operacionin policor për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari, i cili u kthye në një përplasje të armatosur me pasoja tragjike për Policinë e Shtetit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit humbi jetën efektivi i forcave “Shqiponja”, Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur punonjësi i policisë Edison Adri.
Sipas burimeve të siguruara nga “Pamfleti”, gjashtë efektivë të forcave “Shqiponja” kanë qenë të parët që kanë lokalizuar stanin ku fshihej Braçellari. Burimet sqarojnë se stani ishte i rrethuar nga disa qen, ndërsa janë afruar pranë banesës vetëm pasi efektivët kishin rrethuar objektin, ndërsa i shumëkërkuari nuk kishte tentuar të largohej deri në momentin kur ka dëgjuar afrimin e tyre.
Nga informacionet paraprake mësohet se në një moment nga stani ka dalë nëna e Braçellarit. Pak çaste më pas, pasi janë dëgjuar lëvizje dhe zhurma nga brenda objektit, efektivët janë identifikuar duke thirrur “Policia”. Sipas burimeve, e moshuara ka mbyllur derën e stanit, ndërsa është shprehur: “Çna gjeti kështu”.
Menjëherë pas kësaj, Violand Braçellari dyshohet se ka hapur zjarr nga pjesa e sipërme e stanit, duke qëlluar në drejtim të forcave policore. Në shënjestër të të shtënave ka qenë fillimisht efektivi Enea Mekolli, i cili ndodhej rreth shtatë metra larg banesës. Sipas burimeve hetimore, Mekolli është goditur me 7 plumba në trup nga një armë tip kallashnikov, i cili është përdorur nga Braçellari.
Gjatë sulmit mbeti i plagosur edhe efektivi Edison Adri, i cili u godit në nofull. Ky i fundit ka kërkuar ndihmën e kolegëve menjëherë pas plagosjes, ndërsa efektivët e tjerë kanë nisur kundërpërgjigjen ndaj autorit.
Edhe pas nisjes së shkëmbimit të zjarrit, Braçellari dyshohet se ka vijuar të qëllojë me armë tip AK-47 në drejtim të policëve. Sipas të njëjtave burime, ai ka përdorur një karikator të plotë, duke alternuar të shtëna të veçuara me breshëri.
Në fazën përfundimtare të përplasjes, Braçellari ka tentuar të largohet në këmbë, megjithëse ishte plagosur në bark dhe në krahun me të cilin mbante armën. Ai dyshohet se ka ecur rreth 50 metra para se të dorëzohej. “Dorëzohem”,mësohet të ketë thënë autori.
Pas neutralizimit të situatës, policia ka ndërhyrë menjëherë për të dhënë ndihmën e parë, duke transportuar efektivin Edison Adri drejt mjeteve policore dhe më pas në spital.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se efektivët e përfshirë në operacion ishin të pajisur me jelekë antiplumb, por një prej plumbave ka depërtuar tej për tej duke plagosur rëndë efektivin dhe duke e çuar ngjarjen në tragjjedi. Kjo rrethanë pritet të jetë pjesë e hetimeve që po zhvillohen për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes.
Ndërkohë, gjendja shëndetësore e efektivit Edison Adri raportohet e stabilizuar. Ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në nofull, ndërsa pritet të kryejë edhe një operacion tjetër për shkak të komplikacioneve në mushkëri.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar me saktësi dinamikën e shkëmbimit të zjarrit mes forcave të policisë dhe Violand Braçellarit./Pamfleti