Luan Basha si Gerond Meçe, ankimime fiktive në KPK kur nuk fiton tendera nga AKSHI me letra false, si mashtron shtetin me kompaninë Atom. A do arrestohet nga SPAK?

Krim & Korrupsion

Publikuar: 05/04/2026

Luan Basha si Gerond Meçe, ankimime fiktive në KPK kur nuk fiton tendera nga AKSHI me letra false, si mashtron shtetin me kompaninë Atom. A do arrestohet nga SPAK?

Goditja penale e AKSHI-t nga SPAK duket ka prishur disa skema korruptive mes një çete biznesmenësh që janë fryrë me para publike dhe kupolës së AKSHI-t që po hetohet si grup i strukturuar kriminal. Vëmendjen e SPAK-ut e tërhoqi edhe lufta e egër për tenderat e paracaktuar dhe fiktivë, ku nga loja dolën përfituesit epikë Gerond Meçe dhe bandilli Daniel Shima, ish-nën/drejtori i AKSHI-t.

Përfitues i dhjetëra milionë euro, të cilat janë avulluar dhe pastruar në pasuri të paluajtshme, Meçe dhe Shima nuk e pranuan spostimin çka përshkallëzoi përplasjen deri në pengmarrjen e tyre. Shima u kthye në i penduar i SPAK-ut, ndërsa Gerond Meçe, duke u fshehur pas mamasë, nisi një valë ankimimesh në KPK.

Në gjurmët e Gerond Meçes po ecën edhe një tjerë rrufjan i fondeve të AKSHI-t. Bëhet fjalë për biznesmenin e fryrë me para publike, Luan Basha, përfitues e mbi 13 milionë euro përmes kompanisë së mashtrimit Atom shpk nga AKSHI, OSHEE, OST, SPAK, Porti i Durrësit, UKT, Hekurudha etj. Për shkak të veprimit të SPAK, kupola e AKSHI-t ka nisur të mos i konsiderojë më letrat false të Luan Bashës për të fituar tendera dhe për të vijuar mashtrimin me zbatimin e kontratave me pajisje skarco.

Ashtu si Gerond Meçe, Luan Basha ka nisur të ankimojë në KPK tenderat në të cilat ai merr pjesë me kompaninë Atom, por nuk shpallet fitues. Përmes akimimeve fiktive, Luan Basha vonon lidhjen e kontratave të AKSHI-t dhe institucioneve të tjera publike me operatorët ekonomikë, duke shtyrë në kohë edhe shërbimin e kërkuar për institucionet publike.

Përmes akimimeve fiktive, Luan Basha synon të hyjë në pazare me kupolën e AKSHI-t në hetim nga SPAK, me qëllim për të rindërtuar linjën e prishur të korrupsionit, për të fituar tendera me letra false siç operon në disa instuticione të tjera publike. Teksa SPAK po e heton për disa tendera korruptivë të OSHEE dhe OST, Luan Basha pret të pazar nga kupola e AKSHI-t për të vijuar vjedhjen e fondeve publike.

Sipas denoncimeve dhe informacionit të grumbulluar, rasti i kompanisë ATOM nuk përfaqëson thjesht një shkelje procedurale në tendera publikë, por një skemë të dyshuar abuzimi sistematik, që ka prekur institucione kyçe të shtetit dhe ka vënë në rrezik sigurinë e të dhënave dhe besimin publik.

ATOM dyshohet se ka përfituar miliona euro fonde publike duke shitur pajisje informatike të rifabrikuara (pra të përdorura) si të reja, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me kushtet kontraktuale. Këto pajisje nuk janë thjesht mallra tregtare, por infrastrukturë kritike mbi të cilën mbështeten regjistra shtetërorë, sisteme sigurie dhe të dhëna sensitive të qytetarëve.

Rasti më domethënës është “Përmirësimi i Regjistrit Kombëtar të Adresave” për DPGJC, me vlerë 164 milion lekë, ku 40 milionë lekë janë paguar vetëm për hardware, i cili dyshohet se nuk ishte i ri. Po ashtu, tre procedura të fituara në SPAK, me vlerë rreth 1.2 milionë euro, lidhen me sisteme jetike sigurie si anti-ransomware, EDR, firewall dhe monitorim rrjeti. Nëse këto sisteme janë ndërtuar mbi pajisje të përdorura, atëherë rreziku nuk është teorik, por real.

Situata bëhet edhe më alarmante nga fakti se ATOM nuk plotëson kriteret e detyrueshme të sigurisë, konkretisht mungon certifikimi CSP, i cili është kusht bazë për akses në data center-a me nivel të lartë sigurie, si ata të SPAK dhe AKSHI. Megjithatë, pavarësisht këtij fakti thelbësor, kompania është kualifikuar dhe shpallur fituese.

Duke u ndalur tek skadali në fjalë me kompaninë Atom të Luan Bashës, skema thellohet më tej nga dyshimet për falsifikim diplomash dhe certifikimesh, pasi stafi i paraqitur si teknik rezulton i diplomuar nga Universiteti Kristal, institucion që ka humbur licencën që në vitin 2014. Ndërkohë, certifikimet profesionale, të cilat duhet të garantojnë kompetencë reale, figurojnë pothuajse të gjitha në emër të një personi të vetëm, Luan Basha, dhe bashkëshortes së tij, duke ngritur dyshime serioze për paraqitje të rreme të kapaciteteve njerëzore.

Në këtë kontekst, rrjedhja e të dhënave nga SPAK merr një peshë edhe më të rëndë. Nëse sistemet janë ndërtuar, mirëmbajtur dhe administruar nga një operator që dyshohet për mashtrim dhe mungesë kriteresh sigurie, atëherë heshtja institucionale është po aq shqetësuese sa vetë shkeljet.

Ky rast nuk është vetëm për shifra, tendera apo dokumente. Është për sigurinë e shtetit, mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve dhe degradimin e standardeve publike, duke e bërë të domosdoshëm dhe urgjent një hetim të thelluar penal dhe administrativ, me përgjegjësi konkrete dhe individuale.