Në protestë për varfërinë / Pasuria miliona euro e Gjin Gjonit, simbolit të korrupsionit në drejtësi, si u bë doktor pa arsimin e lartë

Investigim

Publikuar: 10/07/2026

Në protestë për varfërinë / Pasuria miliona euro e Gjin Gjonit, simbolit të korrupsionit në drejtësi, si u bë doktor pa arsimin e lartë

Protestës për rrëzimin e qeverisë Rama, ku një prej motiveve kryesore të saj është edhe varfëria, i është bashkuar edhe deputeti i PD-së Gjin Gjoni, i njohur si simboli i korrupsionit në drejtësi. Madje në një intervistë televizive Gjoni tha se e ndiente veten ‘Shqipëri e re’, ndonëse Shqipëria e re nuk është vetëm kundër Edi Ramës, por kërkon edhe dorëheqjen e Sali Berishës, kreut të opozitës së shitur dhe që përceptohet si paterica që mban Ramën në pushtet.

Pas Agron Shehajt, ish gjyqtari Gjin Gjoni është një nga deputetët më të pasur që i është bashkuar Revolucionit të Flamingove, i cili tashmë është njësuar për nga numra me Revolucionin e Berishës. Pasuria e tij ka një vlerë miliona euro, ku përfshihen vila, apartamente, aksione etj. Gjin Gjoni pretendon se është bërë i pasur për shkak të bashkëshortes Elona Çaushi, por ka dyshime të forta se Gjoni ka përdorur bizneset e zonjës Çaushi për të pastruar milionat e korrupsionit në drejtësi, nga e cila ia mbathi për t’u mos u përballur me Vetingun.

Pasuria e deklaruar e Gjin Gjonit

Vilë me vlerë 914 mijë euro
Vilë me vlerë 420 mijë euro
Huadhënie rreth 170 mijë euro
Aksioner në G&G LAW FIRM
Cash, 7 mijë euro
Huadhënie
Bashkëshortja, apartamente 111 mijë euro
Huadhënie 550 mijë euro
Aksione 1.6 milionë euro te ADFD
Apartament, 175 m2, 30 mijë euro
Aksionere te LUXURY DIVERSE
Aksionere te AGRO GJONI
Aksione te ALBCOS ALBANIAN COSMETICS
Aksione te BIO GOURMET
Aksione te PRESTIGE GROUP
Cash, 7 mijë euro
Llogari bankare, 15 mijë euro
Llogari bankare, 19 mijë euro
Paga nga Mundo Aks GMBH 5.8 mijë euro
Paga nga LUXURY DIVERSE, 40 mijë euro
Paga nga ALBCOS ALBANIAN COSMETICS, 9 mijë euro
Të ardhura nga qiraja, 68 mijë euro
Të ardhura nga qiraja, 95 mijë euro

Gjin Gjoni ia mbathi nga drejtësia

Gjin Gjoni konsiderohet si simboli i korrupsionit dhe sheiku i drejtësisë që u shemb nga Vetingu. Ai hyri si i pastrehë dhe ‘plepist’ në drejtësi, ndërsa doli me një pasuri miliona euro. I kallëzuar nga ILDKPKI për fshehjen e mbi 2 milionë eurove pasuri, Gjin Gjoni ia mbathi nga drejtësia me dorëheqje në korrik të vitit 2020 (pasi i kishte mbaruar leja prindërore) duke evituar përballjen me Vetingun, ku do t’i dilnin pasuritë e pajustifikuara dhe ndoshta elemente të disa veprave penale. Dosja e hetimit të pasurisë së tij nga Vetingu mbahet sekret.

Raporti i zi për figurën e Gjin Gjonit

Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, në bashkëpunim me SHISH dhe Drejtorinë për Parandalimin e Pastrimit të Parave, në 17 janar të vitit 2019, ka prodhuar një raport për figurën e Gjin Gjonit, për llogari të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, shkallës së parë të Vetingut.

Në raport thuhet se Gjin Gjoni, gjatë ushtrimit të detyrës së gjyqtarit, ka pasur lidhje me njerëz të krimit të organizuar si dhe është përfshirë në afera korruptive, duke favorizuar njerëz të krimit në procese gjyqësore, në këmbim të përfitimeve të paligjshme. 

Mbi bazën e të dhënave të vitit 2006 dhe 2012…për subjektin e rivlerësimit Gjin Gjoni ngrihen dyshime të arsyeshme se gjatë një procesi gjyqësor ka ndihmuar/favorizuar, kundrejt përfitimit të paligjshëm, një shtetas…, të përfshirë në krim të organizuar. Gjithashtu, në vitin 2006 dhe 2011 disponohen të dhëna ku thuhet se Gjin Gjoni ka pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krime të organizuar….si dhe ka ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj peronave që ushtrojnë funksione publike”, thuhet në raport.

Fshehja e vilës në Farkë, fakte për SPAK-un

Në vitit 2014, Gjin Gjoni u kallëzua penalisht nga ILDKPI për deklarim të rremë, falsifikim të dokumenteve, pastrim të produkteve të veprës penale etj. Sipas ILDKPI, Gjin Gjoni, deri në vitin 2014, kishte fshehur mbi 2 milionë euro pasuri. ILDKP pretendonte se Gjin Gjoni, përpos pasurive të tjera, kishte blerë edhe një vilë me vlerë 700 mijë euro në Farkë, në vitin 2012, me burim të dyshimtë.

Në maj të 2014, dosja e bujshme i kaloi Prokurorisë së Elbasanit, e cila regjistroi procedimin penal me nr: 1098 për dy vepra penale: “falsifikim të dokumenteve” dhe “fshehje të pasurisë”.

Gjin Gjoni e bllokoi prokurorinë me disa lëvizje procedurale dhe arriti ta mbyllte çështjen me lehtësi.

Megjithatë, në kuadër procedimit penal, Prokuroria e Elbasanit pyeti Gjin Gjonin dhe Elona Çaushin rreth pretendimeve të ILDKP për pasurinë e tyre.

Sipas dosjes, Gjin Gjoni deklaroi para prokurorit se, së bashku me bashkëshorten kanë realizuar kontratën për blerjen e vilës në Farkë, por më pas e ka anuluar kontratën, pasi nuk ka pasur para për të paguar këstet dhe se nuk i ka pëlqyer çmimi.

Pra, Gjin Gjoni, tha se nuk kishte vilë.

Gjin Gjoni ka pohuar në prokurori ndër të tjera se “Për sa i përket pikës 7 të kallëzimit penal që ILDKPKI pretendon se është deklarim i rremë nuk qëndron, pasi nga ana ime dhe bashkëshortes sime rezulton se është deklaruar kontrata e sipërmarrjes dhe e porosisë me nr. 1416 Rep dhe nr. 167 datë 24.04.2012 sipas deklarimeve të realizuara në deklaratën e pasurisë së vitit 2013… Kontrata me vlerë 700 000 euro është zgjidhur duke u anuluar me kontratën e dytë të lidhur pas saj. Zgjidhja e kontratës është bërë për shkak të mospëlqimit të çmimit”.

Gjin Gjoni e dha dorëheqjen në përfundim të lejes dyvjeçare prindërore që mori nga ish-KLD-ja në vitin 2018, ku ishte anëtar edhe vetë, ndërsa Ilir Meta ishte kryetar.

Në tetor të vitit 2020, Gjin Gjoni regjistroi në QKR studion e avokatisë “G&G LAW FIRM”. Në dokumentet e regjistrimit, ish-gjyqtari deklaron edhe adresën e banimit, që është pikërisht; ‘Rolling Hills’, Vila nr. 69, Farkë, Tiranë.

Ka dyshime të forta se Gjin Gjoni e ka anuluar fiktivisht kontratën për blerjen e vilës, duke e kaluar formalisht në emër të dikujt tjetër, për t’i shpëtuar veprimit të drejtësisë, pasi nuk e justifikon me burime të ligjshme.

Misteri i diplomës, studioi për veteriner, doli doktor në drejtësi

Ka shumë dëshmitarë, ish studentë, të cilët e mbajnë mend Gjin Gjonin student për veterinari në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Por, nuk ka asnjë ish student juridiku, sot gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë, që rrëfejë se Gjin Gjoni ka studiuar për juridik.

Megjithatë, Gjin Gjoni mban gradën doktor, mbrojtur në Fakultetin e Drejtësisë Tiranë, Departamenti i të Drejtës Civile, me udhëheqëse shkencore Endirë Bushatin.

Mbrotja e gradës doktor nënkupton se Gjin Gjoni duhet t’a ketë kryer arsimin e lartë për juridik. Në CV-në zyrtare të Gjin Gjonit, administruar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, thuhet se Gjin Gjoni ka kryer një kurs të përshpejtuar universitar, Universiteti i Tiranës. Në fakt ka kryer kursin e ‘Plepave’. Kurse të përshpejtuar mund të bëhen për berber, murator, manikyr, kuzhinier etj. Kurs i përshpejtuar nuk eksziston në arsimin e lartë. Diploma për arsimin e lartë juridik përfshin 4 vite akademike (8 semestra).

Dyshimet që Gjin Gjoni nuk ka një diplomë të rregullt dhe të vlefshme të arsimit të lartë thellohen më tej nga disa fakte dhe rrethana të tjera. Në maj të vitit 2013, Gjin Gjoni u bë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku u detyrua të publikonte CV-në. Në CV shkruante se kishe kryer Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, gjatë vitit 1993-1994, kur dihet se kohëzgjatja e studimeve të larta është 4 vjet.

Në një kohë kur në vitin 1994 Gjin Gjoni pretendon se ka kryer studimet e larta, në vitin 1993 ka filluar punë si ndihmës i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Duket gati e pabesueshme se si një student ishte njëherësh edhe ndihmës gjyqtar!