Gjykata e Lartë la në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Redjan Rrajën, i fajësuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ku u plagos Ndoja dhe u vra shoferi i mjetit Andi Maloku.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë la në fuqi edhe dënimin me 35 vite burgim për Arjol Halilajn, nën akuzë për të njëjtën ngjarje.
Gjykata e Lartë u shpreh se e konsideron rekursin e dy të akuzuarve si të pabazuar dhe ndaj lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit.
GJKKO e ka dënuar Redjan Rrajën me burgim të përjetshëm për atentatin e ndodhur në datë 1 nëntor 2019. Ndërsa, me 35 vite burg u dënua bashkëpunëtori i Rrajës, Arjol Halilaj.
Gjykata ka bindjen se Redjan Rraja ka qenë personi që qëlloi me breshëri ndaj makinës së ish-prokurorit Arjan Ndoja. Në këtë atentat humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku.
SPAK ka pasur si provë gjurmët e ADN së Redjan Rrajës, të cilat u gjetën në disa sende të ndryshme në automjetin Mercedes-Benz ngjyrë gri që u gjet në fshatin Shkafan të Ishmit. Profil gjenetik u përftua në një palë syze “Emporio Armani” me inicialet e tij dhe në rrobat, kapuç dhe një palë doreza që u gjetën në makinën tip Benz. Gjithashtu, policia sekuestroi 136 gëzhoja, dy automatikët dhe një pistoletë që u përdorën në ngjarje.
Prova të tjera kundër Redjan Rrajës ishin pamjet filmike kur ai largohej nga Ishmi në drejtim të makinës që drejtohej nga A. H. Sipas Prokurorisë, pas zbërthimit të celularit të tij është konstatuar se ai ka bërë 880 hapa derisa ka arritur tek vendi ku i mori A.H. Po ashtu në celularin e tij janë gjetur edhe termat si “bidon”, “benzin”, “autostradë”, “benz”, “Arjani”, “Rrumi”, “vrasje”, “burg”.
/voxnews