Në korrik të vitit të kaluar, SPAK goditi një prej organizatave të trafikut ndërkombëtar të kokainës me bazë dhe pasuri te Kompleksi Delijorgji të çiftit Mihal dhe Vjollca Delijorgji, kjo e fundit kliente e rregullt në kazinonë e resortit Maestral Resort & Casino në Mal të Zi, ku shpenzon çdo javë qindra mijëra euro. Një skuadër e BKH-së, pas kopsitjes së dosjes bazuar në zbërthimin e komunikimeve në Skye Ecc, arrestoi në befasi Ermir Ndreajn dhe vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani.

(Vëllezërit Hoxhosmani)
Rrjetit ndërkombëtar të trafikut të drogës, i përbërë nga 16 anëtarë, ku bënin pjesë edhe Ermir Ndreaj dhe vëllezërit Hoxhosmani, i janë sekuestruar mbi 6 ton kokainë, me vlerë tregu 411 milionë Euro. Hetimi ka qenë kompleks dhe është kryer nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Adnan Xholi, pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin e koduar “Sky Ecc”.

(Ermir Ndreaj)
Krahas goditjes penale, SPAK ka nisur edhe një hetim pasuror për rrjetin fuqishëm të trafikut të kokainës, i cili dyshohet se posedon një pasuri me vlerë dhjetëra milionë euro nga Tirana në Dubai, produkt i aktivitetit kriminal. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se një pjesë e pasurisë së Ndreajt dhe vëllezërve Hoxhosmani dyshohet se është e lidhur ngushtë dhe kamufluar në emrin e biznesmenes Vjollca Delijorgji, e cila sipas një sage evidencash vizatohet si lavatriçja kryesore e pastrimit të parave të pista në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme.

(Vjollca Deliorgji)
Ekipi i BKH-së i ngarkuar për hetimin kompleks pasuror, sipas burimeve, ka identifikuar zonjën Vjollca Delijorgji, si nyjen e zezë për zbulimin e pasurive të fshehurave të grupit të kokainës. Po sipas burimeve, zonja Delijorgji është kthyer në pengesën kryesore të BKH dhe SPAK për identifikimin, dokumentimin dhe sekustrimin e pasurive produkt i trafikut të kokainës, pasi zonja i mbulon pasuritë e grupit me dokumente në dukje të rregullta dhe si asete të kompanive saj me veprimtari kriminale që nga Gërdeci deri në Afrikë.
Personazhi tjetër kyç që mund të ndihmonte BKH-në për zbulimin e pasurive të fshehura është zonja Valbona Lloha, financierja e kompanive të Mihal Delijorgjit, lidhje e ngushtë dhe e besuar e Vjollca Delijorgjit. Transaksione reale dhe fiktive me vlerë miliona euro, shumë dallavere financiare dhe tjetërsim asetesh kanë kaluar nga duart e zonjës Valbona Llohas.

(Valbona Lloha)
Disa apartamente, dyqane dhe ambiente të tjera, me vlerë dhjetëra milionë euro, ku vetëm arredimet kanë kushtuar miliona euro, në pronësi të dyshuar të vëllezërve Artur dhe Ervin Hoxhosman, janë në pronësi të kartelit të kompanive të çifit Mihal dhe Vjollca Delijorgji, kompani të cilat shtrihen nga Tirana në offshore dhe Afrikë, për t’i shpëtuar gjurmimit të drejtësisë. Kompleksi Delijorgji ka qenë gjithashtu baza kryesore e vëllezërve Hoxhosmani, të cilët kanë investuar shuma të mëdha parash në pasuri të paluajtshme, produkt i trafikut të kokainës.

(Mihal dhe Vjollca Delijorgji)
Ndërkaq, nga ana tjetër, bashkëshortja e Ermir Ndreajt, Elira Ndreaj (Barbullushi), është e afërme e Vjollca Delijorgjit. Në emrin e saj dhe personave të tjerë besuar rezultojnë biznese me vlerë miliona euro, me pronar faktik Ermir Ndreaj. Bëhet fjalë për investime në vlera të frikshme, me vendndodhje Kompleksi Delijorgji, produkt i dyshuar i trafikut të drogës.

Në emrin e zonjës Ndreaj figurojnë disa bizneze nga Kompleksi Delijorgji në Tiranë deri në Antwerp të Belgjikës, sipas mediave belge, produkt i parave të trafikut të kokainës. Elira Ndreaj menaxhon klinikën e njohur estetike Clinique Cinq, e cila ndodhet në të njëjtën zonë ku është edhe Savoy.

Qendra estetike është themeluar nga Ermir Ndreaj dhe Elira Barbullushi (Ndreaj) në vitin 2020, por më pas ka kaluar plotësisht në emrin e zonjës Ndreaj. Bëhet fjalë për një investim miliona euro pikërisht në Kompleksin Delijorgji. Klinika rrezaton luks, elegancë dhe shkëlqim, kamufluar si gjithnjë me kompani fantazmë dhe njerëz të besuar.

Ermir Ndreaj, i cili njihet nga rrethi i tij i bashkëpunëtorëve si “Cinco”, pseudonim që e ka përdorur për t’i vënë dhe emrin një prej bizneseve të tij, “Cinco Cavalli”, në Durrës, pasuri e cila dyshohet se është tjetërsuar. Klubi i njohur i natës ka kaluar në emrin e një tjetër grupi, i skeduar nga SPAK për trafik kokaine.

Një tjetër biznes që Ermir Ndreaj ka ngritur është edhe “Savoy Garden”, një nga restorantet më elegante në Tiranë, në Kompleksin Delijorgji, që frekuentohet nga persona publikë dhe kryesisht elitarë të vendit. Sipas një investigimi të mediave belge “Savoy Garden” është produkt i parave të trafikut të drogës.


Dyqani i purove dhe verërave të shtrenjta, Puro Wine Boutique, është një tjetër biznes i kamufluar i Ermir Ndreajt në kompleksin e Mihal dhe Vjollca Delijorgjit. Bëhet fjalë për një investim qindra mijëra euro. Ka dyshime të forta se biznesi i luksit është përdorur për pastrim parash, pasi një puro shitet deri në 1 mijë euro.


Në emrin e zonjës Elira Ndreaj, lidhje e afërt e Vjollca Delijorgjit, figuron edhe një biznes tjetër me objekt veprimtarie tregtim me shumicë dhe pakicë, import – eksport i të gjitha mallrave ushqimore dhe industriale, i pijeve alkolike e të tjera. Bëhet fjalë për kompaninë UNLIMITED DELICACYshpk me vendndodhje te Kompleksi Delijorgji.

Kompania fantazmë kamuflon asete qindra mijëra euro. Përpos këtyre bizneseve, i arrestuari nga SPAK për trafik kokaine, Ermir Ndreaj, dyshohet se posedon disa apartamente në emrin e kompanive të Mihal dhe Vjollca Delijorgjit.
Mund të lexoni;