Vjollca Delijorgji miliona euro në kazinotë e Malit të Zi, pastrim parash nga Tirana në Afrikë dhe një raport i SPAK-ut

Investigim

Publikuar: 11/03/2026

Vjollca Delijorgji miliona euro në kazinotë e Malit të Zi, pastrim parash nga Tirana në Afrikë dhe një raport i SPAK-ut

Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), në raportin për veprimtarinë e zhvilluar përgjatë vitit 2025, konstaton fuqizimin e grupeve kriminale shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Në raport thuhet se Shqipëria shërben kryesisht për pastrimin e parave produkt të aktiviteteve kriminale, kryesisht trafikut të kokainës dhe skemave mashtruese.

Një sagë evidencash, faktesh dhe dosjesh penale e vizatojnë Kompleksin Delijorgji në Tiranë jo vetëm si oazin e call centrave dhe figurave të krimit, por edhe si kryeqendrën e pastrimit të parave në Shqipëri. Pallatet Delijorgji të çiftit të famshëm Mihal dhe Vjollca Delijorgji, bashkë me kompanitë e tyre, janë lavatriçja kryesore e pastrimit të parave të trafikut të kokainës dhe produkteve të aktiviteve të tjera kriminale.

Bizneset te Delijorgji, produkt i trafikut të kokainës, të Ermir Ndreaj që arrestoi SPAK-u, bashkë me bashkëshorten e tij, Elira Ndreaj (Barbullushi), e afërme e Vjollca Delijorgjit, janë thjeshtë një shembull se si çifti Delijorgji shërben si hinka më e madhe në Tiranë e pastrimit të parave të pista, kamufluar me kompani të regjistruara në vende ku nuk vepron dot SPAK-u.

Nëse SPAK ka vullnet për të luftuar pastrimin e parave, të kërkojë bashkëpunim me autoritetet e Malit të Zi për të dokumentuar se sa milionë euro ka shpenzuar zonja Vjollca Delijorgji në kazinotë e Malit të Zi, sidomos në kazinonë e resortit Maestral Resort & Casino, cili është burimi i parave të shpenzuara dhe nëse janë para droge, mashtrimi apo evazioni fiskal. Zonja Delijorgji është kliente e rregullt e kësaj kazinoje, në të cilën shpenzon çdo javë qindra mijë euro.

Ndërkaq, Mihal Delijorgji, prestanome i Shkëlzen Berishës në biznesin e vdekjes në Gërdec, dhe bashkëshortja e tij Vjollca Delijorgji, kontrollojnë një kartel kompanish, përmes të cilave mundësojnë pastrimin e parave të pista, kryesisht në ndërtim.

Pastrim parash nga Tirana në Afrikë

Në vitin 2005, Mihal Delijorgji regjistroi në Shqipëri kompaninë ‘PARK CONSTRUCTION ALBANIA’ sh.p.k. Në dokumentet zyrtare, ai shfaqet si administrator dhe përfaqësues i vetëm. Kompania është krijuar për ndërtim dhe menaxhim pronash, me seli në zonën e ish-Parkut të Ministrisë së Brendshme në Tiranë.

Paralelisht me këtë kompani, po në vitin 2005, Mihal Delijorgji themeloi një tjetër strukturë në Liberi të Afrikës: një kompani offshore me emrin BRAMMER VENTURES CO. LTD. Ajo është regjistruar me 500 kuota kapitali “pa emër” (bearer shares), që nuk mund të gjurmohen dhe mund të kalojnë dorë më dorë pa lënë gjurmë. Adresa e saj: 80 Broad Street, Monrovia, Liberia. Agjent i regjistruar: The LISCR Trust Company – një strukturë që ofron shërbime anonimiteti.

Vendnodhja e kompanisë ndryshon herë pas here nga një vend në një vend tjetër të Afrikës, fiktivisht, për t’i shpëtuar gjurmimit. Kjo kompani nuk ka aktivitet tregtar, as zyra, as të dhëna të hapura. Qëllimi i saj është të mbajë aksione, për të mos i lidhur kurrë me pronarin real.

Në qershor 2008, Mihal Delijorgji largohet nga drejtimi i ‘PARK CONSTRUCTION’. Në vend të tij emërohet Vjollca Delijorgji, bashkëshortja. Që nga ajo ditë e deri më sot, ajo ka firmosur të gjitha aktet si administratore. Lëvizja ishte e qartë: të shmangej çdo lidhje direkte e Mihalit me ndërtimet që do pasonin.
Në verën e vitit 2013, Kristo Delijorgji, vëllai i Mihalit, del si ortak i vetëm i BRAMMER VENTURES. Kjo kompani zotëron 49% të aksioneve të PARK CONSTRUCTION.

Në këtë pikë, familja Delijorgji është e ndarë nga pasuria vetëm në letër. Në realitet, ata kontrollojnë si aksionet, ashtu edhe administrimin. Më 16 prill 2021, ndodh transaksioni që mbyll skemën: MANDALAY GROUP HOLDINGS CORP, një kompani offshore e regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanikë (BVI), ja shet 51% të aksioneve të PARK CONSTRUCTION kompanisë tjetër offshore, SVEIN CONSULTING LTD, për vetëm 51.000 lekë, një shifër e padenjë, e cila ngre dyshime konkrete për pastrim kapitali.

”Svein” është e regjistruar në Ishujt Marshall. Ajo nuk ka asnjë zyrë, asnjë aktivitet, asnjë të punësuar. Aksioneri i vetëm është një shtetas grek me emrin Ioannis Mytilinaios, që figuron në dhjetëra kompani guackë të regjistruara për të fshehur pronarë realë në Ballkan e më gjerë.

Pas këtij transaksioni, në QKB, asnjë shqiptar nuk rezulton më si pronar i kompanisë ‘PARK CONSTRUCTION’. Por kontrolli i saj mbetet në duart e familjes Delijorgji; përmes Vjollca Delijorgji si administratore dhe Kristo Delijorgji si pronar i 49%.

Kompleksi është ndërtuar mbi pasurinë me numër 6/284, në zonën kadastrale 8220, me adresë Rruga e Kavajës, Njësia Bashkiake nr. 7, Tiranë. Në dokumentet e QKB dhe ASHK, kjo pasuri rezulton pronë ekskluzive e ‘PARK CONSTRUCTION ALBANIA’.

Të gjitha ambientet nëntokësore, vendet e parkimit dhe hapësira shërbimi janë në emër të kompanisë, jo të individëve. Kjo skemë është përdorur për të: shmangur deklarimin e pasurisë në ILDKPI shmangur kontrollin tatimor, shmangur sekuestrimet e mundshme në rast hetimi penal.

Ka sinjale të forta se tek kompleksi “Delijorgji” kanë blerë apartamente dhe biznese eksponentët më të rrezikshëm të krimit në Shqipëri dhe jashtë saj. Në disa raste janë zbuluar transaksione të kryera mes familjarëve të familjes Delijorgji dhe familjarëve të këtyre eksponentëve, të cilët janë përdorur për të justifikuar blerjen formale të pronave.

Bandat kanë blerë lokale, restorante dhe biznese luksi brenda kompleksit, që zyrtarisht figurojnë në emër të palëve të treta, por kontrollohen realisht nga vetë ata. Mihal Delijorgji i përdor këto struktura për interesa të veta personale dhe ekonomike. Në çdo rast, pasuria është e mbrojtur nga një sistem offshore-i që ka ngritur pikërisht për të mos u kapur nga drejtësia.

Edhe politikanë të niveleve të larta; ministra, ish-kryetarë bashkish, drejtues policie dhe gjyqtarë, kanë përfituar prona në këtë kompleks përmes kontratave fiktive ose marrëveshjeve nën dorë. Këto prona nuk figurojnë në deklaratat e pasurisë dhe janë regjistruar në emra të besuar, për të shmangur çdo gjurmim ligjor.

Mihal Delijorgji e ka përdorur kompleksin si “garant të pandëshkueshmërisë”; duke strehuar aty klientët e tij politikë dhe partnerët e tij në botën e errët. Dhe për ta blinduar gjithçka, ka ngritur një rrjet offshore-sh që e mbron nga tatimet, hetimet dhe çdo sekuestrim të mundshëm.

Mihal Delijorgji nga eskavatorist në Greqi në biznesmen aferash

Deri në vitin 1998, Mihal Delijorgji ishte emigrant anonim me 8 klasë shkollë e 1 vit kurs eskavatorist, që punonte pastrues kanalesh bujqësore në Greqi; por befas u shfaq në zyrat e pushtetit Nano-Meta-Majko, si biznesmeni që do “pastronte” miliardat e piramidave.

E nisi me skrapin e nxjerr nga tanket e ushtrisë, që Fatos Nano e Ilir Meta ia shitën duke përdorur ministrin Pandeli Majko; dhe Delijorgji i bëri hekur special, nëpërmjet firmës metalurgjike “Hellenic Vehicle Industry”, me pronar Evangellos Mytilineos, i njohur si mik i Fatos Nanos.

Mjaftoi një kontratë e lidhur mes Pandeli Majkos e Mihal Delijorgjit, për blerje tankesh me nga 300 mijë lekë copa; për të zhvatur edhe afro 40% të topave, pajisje, makineri e materiale prej çeliku special, hekuri, alumini, zingu e bakri, ish-rezerva të ushtrisë që u tjetërsuan në hekur ndërtimi.

Vetëm në bazën ushtarake “Arshi Lengo” në jug, u grumbulluan 142 tanke e 136 topa të Korpusit Gjirokastër e Batalionit-Delvinë-Sarandë, prodhim ruso-kinez me peshë nga 16 ton, 35 ton e 40 ton secili, por u shitën me nga 100 mijë e 300 mijë lekë; ndërsa materialet dhe pajiset e tjera metalike iu dhanë falas e pa dokumente.

Me urdhër të ministrit Pandeli Majko, tankeve e topave iu sharruan tytat dhe brenda 1 jave, filloi ngarkimi në trajlera pa targa e me logo “Përparimi Sh.A-Shkozet”, që rezulton se ishte kompania e grekut Evangellos Mytilineos, por me administrator Mihal e Kristo Delijorgji.

Paralelisht me skrapin e tankeve, Mihal Delijorgji filloi të përlante falas dhe strukturat metalike e makineri të 350 ish-ndërrmarrjeve shtetërore, të cilat u vodhën duke u kosinderuar “pastrim mjedisesh”; ndërsa nëpërmjet baxhanakut të tij, ish Zv/kryetar i Bashkisë, filloi të ndërtonte pallate e  kulla në Tiranë.

Pas vitit 2005, Mihal Delijorgji u afrua nga pushteti “Berisha”, për të bërë biznesin e trafikut të municioneve luftarake e skrapit me predha; po nëpërmjet firmës “Përparimi Sh.A-Shkozet” si grumbulluese municonesh dhe demontimin e tyre në Gërdec me firmën “Albademil”, në ortakëri me Fahri Balliun dhe pronar fundor Shkëlzen Berishën.

Dihet sa miliona dollarë pasuri ushtarake, u vodhën me biznesin e Gërdecit e çfarë tragjedie njerëzore ndodhi; pas të cilës Mihal Delijogji u dënua dhe u lirua si i pafajshëm me dëmpërblim nga shteti, ndërsa Fatmir Mediu e Shkëlzen Berisha nuk u prekën.

Pas lirimit nga burgu, më 2013-ën, Mihal Delijorgji u bë pjesë e grupit “Basha” në Bashkinë Tiranë; dhe nisi biznesin e ndërtimit të pallateve e kullave, duke përdorur emrin e firmës së skrapit “Përparimi Sh.A”, biznes në të cilin, Lulzim Basha kishte përfaqësues kunatin e tij, Erjon Isufi.

Më pas, për shkak të zhurmës mediatike që bëri ky fakt, më 8 korrik 2015, vetëm 1 muaj pas ardhjes së Erjon Veliajt në krye të Bashkisë Tiranë; Mihal Delijorgji krijoi firmën “Park Construction Albania” me adminisratore gruan e tij Vjollca Delijorgji dhe krye-menaxhere kushërirën e parë të gruas, Elda Gonxhe, duke pastruar tashmë miliona euro të trafikut të kokainës. Me miratimin e reformës në drejtësi dhe ngritjen e SPAK-ut, Mihal Delijorgji ka çrregjistruar dhe zhdukur kompanitë nga Shqipëria, duke i zhvendosur në offshore, me qëllim për t’i shpëtuar gjurmimit dhe veprimit të drejtësisë.