Gramshioti Eral Myftaraj jetë sheikësh me paratë publike, 50 milionë euro tendera klientelistë me 2 kompani. Ja lidhjet korruptive me zyrtarët, pazare dhe ndarje parash nëpër Tiranë. SPAK përgjime për aferën e fundit 7 mln euro

Kryesore

Publikuar: 06/03/2026

Gramshioti Eral Myftaraj jetë sheikësh me paratë publike, 50 milionë euro tendera klientelistë me 2 kompani. Ja lidhjet korruptive me zyrtarët, pazare dhe ndarje parash nëpër Tiranë. SPAK përgjime për aferën e fundit 7 mln euro

Eral Myftaraj është gllabëruesi më i madh i tenderave në Qarkun e Elbasanit. Herë duke u servilosur pas deputetëve, ish ministrave dhe drejtorëve, herë duke bërë pazare, herë me mashtrime dhe pothuajse në çdo rast duke dhënë ryshfet, Eral Myftaraj po përlan të gjithë tenderat e mëdhenj në Qarkun e Elbasanit, duke mashtruar me zbatimin e kontratave dhe manipuluar volumin e punimeve. 

Gjatë 7 viteve të fundit, vetëm me kompaninë e ndërtimit Meteo, Myftaraj ka marrë 45 milionë euro tendera. Mbi 6 milionë euro tendera i ka marrë me kompaninë AL-MEXWOOD, me objekt veprimtarie sudime dhe projektime në fushën e pyjeve. 

‘Pitoni’ i tenderave kontrollon një kartel kompanish me veprimtari të dyshimtë, ku përfshihen Aga Solar Park Holding’s, Albanian Archives, ALMEX GREENWOOD etj. 

Myftaraj ka krijuar lidhje klienteliste dhe korruptive me funksionarë publikë të Bashkisë Gramsh, Bashkisë Elbasan, Bashkisë Librazhd, disa drejtorive të Bashkisë Tiranë, Bashkisë Dimal, Rrogozhinë, Shijak, Ujësjellësit Belsh, Drejtoria e Parqeve Tiranë, Drejtoria e Arkivava, Spitali i Elbasanit, Bordi i Kullimit Korcë, Ministria e Bujqësisë etj.

Disa nga funksionarët publikë, të cilët kanë firmosur tenderat me flamur korrupsioni për Eral Myftarajn janë Erinda Fino, Tomorr Zaimaj, Luan Tabaku, Çlirim Puto, Dasantila Tahiraj, Irland Sina, Juliana Memaj, Antonela Dedej, Nuri Belba, Arben Asllani, Dritan Agolli i  FSHZH-së etj.

Shumica e tenderave janë me flamur të kuq korrupsioni, me oferta fituese gati sa fondi limit, me garë formale, me pazar në tavolinë dhe në disa raste me letra false.

Me paratë publike që ka përlarë me tenderat klientelistë Eral Myftaraj ka nisur të bëjë një jetë sheikësh, me vila, makina luksoze dhe skaf, pushime luksoze dhe argëtim në vende ekzotike, duke sfiduar drejtësinë dhe barazinë para ligjit. 

Në 5 korrik 2023, Eral Myftaraj, me ndërhyrjen e një zyrtari të lartë, ka marrë një tender me vlerë 7 milionë euro nga ujësjellësi i Elbasanit. Letrat janë firmosur nga drejtori i ujësjellësit Luan Tabaku.

Prapaskena mëson se tenderi është monitoruar nga SPAK-u, duke vënë në përgjim oktapodin Eral Myftarajn, sekserë, anëtarë të KVO-së etj.

Pas finalizimit të tenderit me pazar në tavolinë, Myftaraj ka ndryshuar numrin e telefonit, ka zhdukur telefonat, dokumente dhe kompjutera.

Në maj 2023, Eral Myftaraj u përplas me grupin e mafies së druve Shaqir Alcani, për një tender me vlerë 853 mijë euro të Bashkisë Tiranë për furnizimin me lëndë drusore nëpër shkolla.