“Nuk vjen rregullisht në punë”, Bizhga pezullon nga detyra njeriun e besuar të Prodës

Kronike

Publikuar: 04/03/2026

“Nuk vjen rregullisht në punë”, Bizhga pezullon nga detyra njeriun e besuar të Prodës

Lëvizja e parë e drejtuesit të komanduar të Policisë së Shtetit duket se ka dhënë menjëherë sinjalin e një ndryshimi në strukturat e brendshme të institucionit. Sokol Bizhga ka firmosur urdhrin për pezullimin nga detyra të Ulian Shpatarakut, një prej emrave më të afërt me ish-kryepolicin Ilir Proda.

Sipas raportimeve në media, argumenti zyrtar për këtë vendim është “mosparaqitje në mënyrë të rregullt në detyrë”. Megjithatë, fakti që bëhet fjalë për një zyrtar të konsideruar si pjesë e rrethit të ngushtë të ish-drejtuesit të Policisë ka shtuar interpretimet për një riformatim të brendshëm dhe distancim nga struktura e mëparshme drejtuese.

Ulian Shpataraku ushtronte funksionin e asistentit në Departamentin për Teknologjinë e Informacionit në Policinë e Shtetit dhe ishte pjesë e kabinetit të Prodës. Gjatë kohës së tij në këtë pozicion, ai kishte përfituar disa grada, të cilat justifikoheshin me “merita të veçanta”.

/JOQ