Ish zyrtari i PD-së me vilë në Palasë dhe shndërruar në gazetar Elvi Fundo ka respektuar traditën familjare të spiunimit sapo shoku dhe burimi i tij, Zambak Gjoni, ish-drejtor i Burgut të Vlorës, i ka dërguar përmes platformës WhatsApp dosje hetimore të SPAK-ut, të hakeruara nga shoku i tij, Arnold Rrokaj. Nëse çdo gazetar tjetër do të informonte publikun për vjedhjen e dosjeve hetimore në kompjuterat e prokurorëve të poçasëm dhe mbi hetime që po zhvilloheshin rreth zyrtarëve publikë, Elvi Fundo ka nxituar duke spiunuar burimin tek ish kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, me qëllim servilosje dhe ndërtimin e një raporti mbi poshtërsi profesionale.
“Më datë 12.03.2025 nga ana e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Z. Altin Dumani, informohem se administratori i portalit mediatik “CNA” Elvi Fundo, kishte vënë në dijeni nëpërmjet whatsapp se një shtetas me emrin Zambak Gjoni i kishte dërguar informacione të procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022, të cilat i dispononte në formatin “Eord”. Nga këqyrja që ju bë aparatit telefonik celular të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme rezulton se përmbajtja e dokumenteve që zotërohen përkatësisht nga shtetasi Elvi Fundo, dërguar nga ana e shtetasit Zambak Gjoni, përkon me dokumentacionin (elektronik file) të administruar në fashikullin dhe “Folder e procedimit penal 277/1” të vitit 2022“, thuhet në dosjen e SPAK-ut.
Vesi, nxitimi dhe zelli për t’u bërë spiun duket se është një traditë me karkter familjarë nga ana e gazetarit Fundo. Babai i tij Emin Fundo rezulton spiun i ish Sigurimit të Shtetit me pseudonimin Voltmetri. Sipas kartelës, Emil Fundo është rekrutuar si spiun i ish Sigurimit në vitin 1979.

Në pamundësi për t’u bërë spiun i ish Sigurimit për shkak të moshës, Fundo duket se ka zgjedhur të ruajë traditën familjare, duke spiunuar burimet dhe shokët tek Altin Dumani. Përmes një reagimi në portalin e tij CNA, Fundo ka justifikuar raportimin e burimit tek Dumani me pretendimin se nuk e kishte shok dhe as burim Zambak Gjonin, se materialet hetimore nuk kishin vulë etj.
Nga ana tjetër, Zambak Gjoni ka deklaruar në SPAK se “me Elvi Fundon kam njohje shoqërore pasi e kam njohur kur kam qenë i punësuar në Korçë, përpara disa vitesh, ndërsa Basri Collakun e kam njohur nëpërmjet miqve të përbashkët. Dua të shtoj faktin se këtyre shtetasve nuk ju kam dërguar të gjithë materialin që më ka dërguar shtetasi Arnold Rrokaj, por vetëm një pjesë të vogël të materialit, pra në total një ose dy nga këto informacione“.
Nuk e dimë cili gënjen, por e vërteta është se sapo Zambak Gjoni i ka nisur materialet në WhatsApp, Fundo ka informuar Altin Dumanin. Dhe hetimi i SPAK ka nisur pikërisht nga ky veprim, duke ndërtuar më pas një dosje hetimore dhe akuzën e grupit të strukturuar kriminal. Për të formuar grupin prej tre vetash përfshinë edhe Agim Ismailajn, i cili ka shfaqur një ‘kuriozitet kriminal’ për dosjet që i ka dërguar Zambak Gjoni.
Ndërkaq, ish zyrtari i PD, Elvi Fundo, rezulton edhe në dosjen e SPAK-ut për zv/kryeministren Belinda Balluku. Në komunikimet (më shumë se 1 mijë faqe) mes zonjës Balluku dhe ish kreut të ARRSH-së Evis Berberi, Elvi Fundo del në pah si zar dhe spiun i zëvëndëskryeministres.
Ashtu siç edhe është dyshuar prej vitesh, Fundo bën lajme me porosi të segmenteve qeveritare si rrobaqepës, koordinohet me linja të qeverisë, konsultohet dhe spiunon te pushteti reagimet dhe ndërhyrjet për lajmet që publikon në portalin e tij CNA. Në dosjen e Ballukut gazetari Elvi Fundo del ashtu siç është në të vërtetë.