Ermal Hasimja është një prej themeluesve të nismës Forumi i Dialogut Politik, e prezantuar pak ditë më parë publikisht, që ka si synim një marrëveshje bashkëpunimi të të gjitha partive opozitare për të ndryshuar situatën politike në vend. Anëtarët themelues të Forumit janë Ermal Hasimja, Redi Ramaj, Hektor Ruci, Altin Gjeta dhe Florian Haçkaj. Forumi pretendon dhe synon të bashkojë opozitën për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti, pa kufizime për asnjë parti, qoftë edhe ajo e Arlind Qorit.

Por Hasimja ka nisur të shihet me dyshim nga kupola e PD për shkak të lidhjeve të forta dhe të njohura të tij me Fondacionin Soros të George Soros i shpallur nga Sali Berisha ‘non grata’ dhe si armikun më të përbetuar të opozitës shqiptare. Hasimja shihet si një komplot i ri i Soros, Edi Ramës dhe Lulzim Bashës kundër opozitës me në krye Sali Berishën.

Në një kohë kur kërkon të bashkojë opozitën, të bëjë atë që nuk e bëri dot Lulzim Basha dhe nuk po bën as Sali Berisha, Hasimja rezulton anëtar i bordit të Fondacionit Soros në Shqipëri. Ermal Hasimja është pjesë e pandërprerë e Fondacionit Soros që prej vitit 1997, pra prej 29 vitesh, ndërsa ka mbajtur edhe funksione drejtuese.

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Lisandër Hoxha ka hedhur dyshime të forta rreth Forumit të Ermal Hasimes, i cili ka shprehur synimet për të bashkuar opozitën. Hoxha e konsideron Hasimen si mercenar të Sorosit dhe karrem të tij kundër opozitës.
“Soros është armik i hapur i demokracisë dhe mbështetësi kryesor i Edi Ramës, ndërsa bashkëpunimi me njerëzit e tij i jep goditjen finale të djathtës në Shqipëri. Ata që sot paraqiten si shoqëri civile nuk kanë pasur asnjë kauzë reale gjatë këtyre trembëdhjetë viteve të degjenerimit të vlerave të shtetit. Nuk kanë mbrojtur qytetarin, ligjin apo interesin publik. Nuk përfaqësojnë zërin e shoqërisë, por funksionojnë si struktura mercenare, të ndërtuara dhe të trajnuara për të çorientuar dhe dobësuar të djathtën, duke i shërbyer drejtpërdrejt këtij regjimi“, shkruan Hoxha.