Gazetari Isa Myzyraj ka shkruar një status ironik lidhur me përzgjedhjen e pyetjeve nga Zyra e Shtypit për Sali Berishën në komunikimin e kësaj të shtune me gazetarët:
“Sali Berisha ishte ulur sot për tju përgjigjur pyetjeve të qytetarëve. Pyetjet i përzgjedh, sigurisht, zyra e tij e shtypit. Një ndër pyetjet që u lexuan si të përzgjedhura nga zyra e tij e shtypit ishte: Çfarë mendon se fiton kur e nxin Shqipërinë në arenën ndërkombëtare?! Super përzgjedhje sabotuese.” – shkruan Myzyraj.
Ndërkohë ky postim nuk i ka pëlqyer kryekëshilltarit mediatik të Sali Berishës, Alfred Lelës, i cili nëpërmjet një reagimi të gjatë, mes të tjerash, i thotë Myzrajt se si nuk iu bën përshtypje Edi Rama, por merreni vetëm me Sali Berishën dhe ngre dyshime se gazetarët kanë të drejtë të jenë të pavarur vetëm kur vjen fjala te opozita dhe jo te pushteti.
Lela I kujton më tej Myzyrajt që të përdorë thonjëzat në postimet e tij.
“Isa, më habit afësia për përfundime të tilla që, më vjen keq ta them, fillojnë si kritika dhe përfundojnë si dashakeqësi; duke bërë atë që thonë se po ‘kritikojnë’.
Si gazetar, duhet ta dish se, një udhëheqës politik, pikë së pari duhet t’u përgjigjet pulsioneve/zhurmave/shqetësimeve, qofshin këto të vërteta apo të fabrikuara, të opinionit publik dhe të kundërshtarit.
Po si gazetar, duhet ta kesh vënë re se, gjithë javën që shkoi, portalet e qeverisë u mbushën me titujt ‘ia hoqën fjalën Berishës’, ‘shih si e nxin Shqipërinë’. Kjo në kontrast me ‘suksesin e madh’ të vizitës ‘hyjnore’ si prej ‘profeti Isa’ të ‘judeut Rama’ në Jerusalem.
Detyra e Zyrës së Shtypit, imja si drejtues, është që t’i kanalizojë këto pulsione në pyetjet që i bëhen kryetarit të opozitës. Sepse, opinioni publik, i përbërë nga demokratë, neutralë apo kundërshtarë dhe ‘bojkotues’, duhet/mund të detoksikohet nga doza e helmit që ka marrë gjatë javës nga qeveria dhe mediat e saj. Siç është rasti i ‘i hoqën fjalën’ dhe ‘po nxin Shqipërinë’ (kjo e dyta një tezë kaq herë e përsëritur e Ramës).
E dyta, më bën përshtypje se, si nuk të ka mbetur në mend apo nuk riqarkullon përgjigjen e Berishës, por pyetjen ‘sabotuese’.
Tani kam unë një pyetje: ti je i interesuar të qarkullojë dhe të mbetet pyetja apo përgjigjia?
Në kushte normale nuk mbahet mend pyetja, por përgjigjia. Ajo që mbahet mend qartë, ama, është pyetja që nuk merr përgjigje. Dhe, nga një pikëvështrim prej profesionisti, mendoj se Berisha duhej t’u jepte dhe u dha përgjigje pyetjeve.
Është lehtë fare që ta lësh kryetarin e opozitës në fluskën e ‘të folurit me vete’, të përzgjedhësh vetëm urratë e mbështetësve dhe të shmangësh pulsionet, me lepurin në bark të të mosdukurit sabotues. Mund ta bëja këtë, por ky është rasi kur do të isha megjithëmend ‘sabotues’. Për ‘të folurit me vete’, aty e ke Ramën: jo më larg se pardje shkoi për ‘dëgjesa’ në Divjakë dhe nuk i la fermerët të flisnin.
Meqë jemi te pyetje ‘sabotuese’, ja edhe një tjetër: si nuk të ka bërë përshtypje, mor burrë, një grafik i AMA, që e nxjerr kryetarin e opozitës si dominues të kohës televizive, me tri herë më shumë se Rama dhe qeveria!? Si ndodh kjo?
Ja ta them: Autoriteti i Mutsihanes Audiovizive (AMA) bën sikur nuk e di se ‘koha televizive’ ndikuese, që kushton, blihet e shitet, nuk është ajo lineare, e konferencave të shtypit, e takimeve me partinë, e tryezave etj, por e edicioneve të lajmeve dhe e titujve me të cilët ‘targohen’ aktivitetet e opozitës dhe të qeverisë. Pra, si dhe sa paraqiten Berisha dhe PD, Rama dhe PS në edicionet e lajmeve dhe titujt e tyre. Pa folur fare këtu për emisionet e debatit politik në prime time (orën e pikut televiziv) ku opozita, kryetari dhe agjendat e tyre përçudnohen me zell prej vrasësish serialë.
Pse nuk e ngrenë këtë pyetje gazetarët ‘e pavarur’? Apo janë të pavarur vetëm në raport me opozitën?
Unë t’i mirëpres kritikat, por po e ripërsëris si këshillë atë që të shkruaj në krye: mos e nis si kritikë për sabotim atë që në fund e kthen në sabotim. Ose, të paktën, përdor thonjëzat.” -shkruan Lela.
Nuk është hera e parë që kryekëshilltari Lela bën sherr me gazetarët. Kujtojmë se pak kohë më parë ai debatoi ashpër me aktivistin Shpend Gashit, për shkak të kritikat e këtij të fundit lidhur me takimin e Berishës me intelektualët.