Avokati trafikant i Ilir Metës: Ziver Veizi që u vra në 21 Janar vidhte unaza grash, e sollën nga Greqia për trazira

Kryesore

Publikuar: 23/01/2026

Avokati trafikant i Ilir Metës: Ziver Veizi që u vra në 21 Janar vidhte unaza grash, e sollën nga Greqia për trazira

Avokati i ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Kujtim Cakrani, ka bërë deklarata të forta dhe polemika lidhur me ngjarjen e 21 Janarit, duke sulmuar drejtpërdrejt liderin e asaj kohe të opozitës Edi Rama si dhe njërin prej viktimave të asaj proteste.

I ftuar në emisionin Off The Record me Andrea Dangllin, Cakrani deklaroi se Ziver Veizi, një nga katër protestuesit e vrarë, kishte precedentë penalë në Greqi dhe se ishte sjellë në Shqipëri për të nxitur trazira.

Sipas tij, Veizi kishte vite që nuk jetonte në Shqipëri, pasi ishte dënuar nga drejtësia shqiptare. Cakrani pretendoi se ai ishte dënuar për vjedhje dhe se vendimi ishte dhënë nga gjyqtari Gramoz Levanai gjatë kohës kur ushtronte detyrën në Gjirokastër.

“Ishte një kryengritje e armatosur për të rrëzuar rendin Kushtetues, donin një ’97 të dytë. Ziver Veizi, i ndjerë tashmë, kishte 20 vite që nuk vinte në Shqipëri, sepse ishte dënuar me vendim të formës së prerë se i vidhte grave unazat. Pyseni gjykatësin Gramoz Levanai, që e ka dënuar kur ishte gjyqtar në Gjirokastër. Nuk vinte, erdhi apostafat nga Greqia vetëm për protestën.

Unë mbaj përgjegjësi për ato që them. Ky ishte kontigjenti që ishte në atë protestë. Kaq është e gjithë historia, duhet hetuar që nga fillimi. Ishte krim shtetëror se opozita ishte shtet, mos abuzoni me vendimin e gjykatës europiane”, deklaroi Cakrani, duke shtuar se sipas tij bëhej fjalë për “krim shtetëror”, pasi opozita e asaj kohe ishte pjesë e pushtetit.

Avokati hodhi gjithashtu dyshime mbi autorësinë e vrasjeve, duke thënë se nuk është e qartë nëse viktimat u vranë nga Garda e Republikës apo nga ajo që ai e quajti “partia që donte heronj.

“PS është parti që do heronj, i nxori në pritë Edi Rama dhe Taulant Balla”, tha Cakrani duke bërë thirrje që për këtë çështje të bëhet drejtësi.

Pamfleti: Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, i dënuar me burg në Itali për trafik droge; emrin e ka pasur Shpëtim

Pothuajse çdo ditë, avokati Kujtim Cakrani del në ekrane dhe sulmon SPAK-un, Gjykatën e Posaçme dhe reformën në drejtësi, akuzon për korrupsion e paaftësi prokurorë e gjyqtarë dhe hedh ide se si duhet bërë drejtësia në Shqipëri, sidomos pasi del nga seancat gjyqësore si avokat i të arrestuarit Ilir Meta.

Kur e dëgjon avokatin Kujtim, krijon mendimin se është i ndershëm, me figurë të pastër, ekspert i jurisprudencës dhe qytetar që proklamon e kërkon drejtësi të barabartë dhe me standarde europiane.

Por nën “maskën” e Kujtim Cakranit ka disa kujtime të hidhura penale me drejtësinë në Itali dhe Shqipëri, por me emrin “Shpëtim Cakrani”, për aktivitete kriminale dhe vepra penale, nga ato të klientëve që mbron sot si avokat.

Operacioni “Medusa” në Itali: Kujtim Cakrani me emrin Shpëtim Cakrani, 2 vite burg për trafik heroine

Mëngjesin e datës 18 korrik 2007, policia dhe prokuroria italiane, nëpërmjet operacionit “Medusa”, arrestuan 14 persona për trafikim heroine në Salento të Puglias gjatë viteve 2004–2005, mes tyre trafikantin shqiptar Shpëtim Luftar Cakrani.

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, i dënuar me burg në Itali
Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, i dënuar me burg në Itali

Sot, trafikanti është avokat dhe quhet Kujtim Cakrani, pas ndryshimit të emrit në regjistrin e Gjendjes Civile, për t’i shpëtuar sanksioneve të ligjit Anti-mafia në Shqipëri.

Sipas dokumentit që po publikojmë, gjykata italiane e dënoi me 2 vite burg Shpëtim Cakranin, pra avokatin Kujtim Cakrani, në atë kohë 37 vjeç, dhe po kaq vite bashkëpunëtorin e tij në grupin e trafikimit të heroinës, Argent Arapi.

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, i dënuar me burg në Itali

Sipas Regjistrit të Gjendjes Civile, Shpëtim Cakrani, i dënuari për trafik droge në Itali, është “dora vetë” avokati Kujtim Cakrani, me të njëjtën datëlindje 18 maj 1971, me të njëjtat atësi Luftar dhe amësi Burbuqe, si dhe vendlindje, të vërtetuara edhe në të dhënat personale të lejes për biznesin e zyrës së avokatisë.

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, i dënuar me burg në Itali

Dy dënimet e tjera penale të avokatit Kujtim Cakrani

Me Vendim nr. 181, datë 14 korrik 2005, Gjykata e Fierit ka dënuar Kujtim Cakranin, që në atë kohë mbante emrin Shpëtim Cakrani, me 2 vite burg dhe 500 mijë lekë gjobë, por Gjykata e Apelit Vlorë e pushoi çështjen.

Gjykata e Lartë e ktheu për rigjykim në Apelin e Vlorës, ku u la në fuqi dënimi i dhënë nga Gjykata e Fierit, por Gjykata e Lartë ia konvertoi dënimin në 3 vite shërbim prove.

Me Vendim nr. 85, datë 19 shkurt 2016, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë dënoi avokatin Kujtim Cakrani me 200 mijë lekë gjobë për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, vendim që u la në fuqi nga Gjykata e Apelit Vlorë.

Sipas ligjit Anti-mafia, avokatit Kujtim Cakrani, alias Shpëtim Cakrani, i dënuar me burg në Itali për trafikim heroine, SPAK duhet t’i hetojë pasuritë, ndërsa Dhoma Kombëtare e Avokatisë duhet t’i heqë licencën e avokatit.