Një nga centralet diellore më të mëdha në Shqipëri po merr formë në zonën e Kolonjës, ku në një sipërfaqe prej 412 hektarësh, do të ngrihet parku me fuqi 62 MË. Prej më shumë se dy vitesh, kompania ndërtuese ka lobuar në qeveri për të marrë fillimisht tokën me qira, më pas për t’iu mbushur mendjen banorëve vendas se investimi nuk prek jetët e tyre, megjithëse banorët e fshatit Taç i Lartë, kanë protestuar me të drejtë se po iu merren kullotat e fshatit.
Ndërkohë, javët e fundit është zbardhur edhe leja e zhvillimit, që prek një sipërfaqe të madhe në atë zonë, teksa në letra shkruhet se firma që do të zbatojë këtë projekt është turkja “Fortis Energy & Construction”. Në gjithë dokumentet e bëra deri më tani figuron pikërisht kjo kompani, ndërkohë sipas letrave që ka hulumtuar Vox News rezulton se firma që do të zbatojë projektin quhet Ersekë Solar Energy.
Ndoshta pronarët e kompanisë janë të njëjtë, por ata kanë lëvizur me shpejtësi para se t’u zbardhej leja duke e zhvendosur kompaninë nga Turqia në drejtim të Holandës, një vend që njihet offshorë, ku disa kompani të mëdha në Shqipëri, ato që kanë marrë koncesione e janë shpallur investitorë strategjikë, kanë selitë fiktivë në atë vend, vetëm e vetëm për të fshehur gjurmët dhe pronarët e vërtetë.


Faksimile: Leja e KKTU-së është zbardhur në datën 12 maj 2026, ku firma Fortis do të ndërtojë central me fuqi 62 MË
Sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News në datën 12 maj 2026, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka zbardhur lejen me objekt “miratimin e lejes së zhvillimit për objektin ‘ndërtimi i impiantit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike, veprave ndihmëse me fuqi 62 MË’, me vendndodhje në Bashkinë Kolonjë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Fortis Energy & Construction”.
Sipas dokumenteve, zona në studim ndodhet në pjesën juglindore të Shqipërisë, në fshatin Taç i Lartë, pranë qytetit të Ersekës. “Kjo zonë paraqet kushte të favorshme për ndërtimin e një impianti fotovoltaik nga pikëpamja teknike. Rajoni karakterizohet nga një nivel i mirë i rrezatimit diellor vjetor, me një mesatare të lartë të orëve me diell, çka e bën atë të përshtatshëm për shfrytëzimin e energjisë diellore” thuhet në dokumente.


Në foto: Projekti që do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 412 hektarësh në Kolonjë
Sipas saj, për të arritur në zonën e projektit ekzistojnë disa alternativa, ndërsa aksi kryesor i aksesit është rruga nacionale që ndjek itinerarin Tiranë-Korçë-Ersekë. Distanca nga Tirana është rreth 208 km dhe përshkohet për afërsisht 3 orë e 53 minuta.
“Peizazhi përreth përbëhet kryesisht nga sipërfaqe me kullota dhe zona të hapura, ndërsa në distanca të ndryshme ndodhen vendbanime rurale dhe rrugë lokale, të cilat sigurojnë lidhjen e zonës me qendrat administrative përreth” thuhet në dokumente.


Faksimile: Transaksionet e firmës Fortis para se t’u zbardhej leja e zhvillimit nga KKTU
Qeveria ka miratuar me një VKM të veçantë vitin e kaluar se projekti parashikon ndërtimin e një sistemi fotovoltaik me kapacitet prej 62 MË, i vendosur në zonën e Taç i Lartë, Bashkia Kolonjë, Qarku Korçë. Fuqia në anën AC është 62 MË, ndërsa sistemi përbëhet nga 134,360 module fotovoltaike. Sipërfaqja totale e truallit të projektit është 4.126.759 m², ose rreth 412 hektarë.
Vox News ka hulumtuar edhe dokumente të tjera në QKB për kompaninë ndërtuese Fortis, e cila paraqitet në çdo letër si “firmë nga Turqia”. Madje, edhe administratori i saj është një shtetas turk. Por, 40 ditë para se kësaj kompanie t’i zbardhej leja e zhvillimit nga KKTU për super parkun në Kolonjë, ata bëjnë një transaksion të dyshimtë.
Në datën 2 prill 2026, ortaku i vetëm i shoqërisë, Fortis Energy and Construction, Mehmet Burak Uçkardes, ka vendosur transferimin e kuotave. “Duke qenë se shoqëria ka një ortak të vetëm, i cili zotëron 100 % të kuotave të saj, ortaku i vetëm në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, ka vendosur të dnërmarrë dhe të realizojnë procedurën e planifikuar për transferimin e kuotave të shoqërisë. U vendos miratimi, në mënyrë të plotë dhe përfundimtare të shitjes edhe transferimit 100 % të kuotave të shoqërisë nga Mehmet Burak Uçkardes tek shoqëria Ersekë Solar Energy B.v, një shoqëri me përgjegjësi e kufizuar e themeluar sipas ligjeve të Holandës” thuhet në këto dokumente.
Në të njëjtin dokument shkrihet se çmimi i blerjes është vetëm 100 mijë lekë, që përfaqëson vlerën nominale të kapitalit të shoqërisë. “Çmimi i blerjës është përcaktuar në kuadër të një riorganizimi brenda grupit dhe nuk pasqyron vlerën reale të tregut të kuotave” vijon dokumenti.
Por koha e bërjes së këtij transaksioni apo zhvendosja e selisë në Holandë kanë ngritur shumë dyshime për pronarët e vërtetë të kësaj kompanie, nëse është shitur apo jo, nëse ka kaluar nga Turqit te persona të tretë apo gjithçka është bërë për të humbur gjurmët. Një skemë që është përdorur rëndom nga shumë kompani të tjera që kanë përfituar koncesione dhe janë shpallur investitorë strategjikë në Shqipëri.
/ VoxNews