Në kuadër të një hetimi të përbashkët me autoritetet italiane, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme disa kontrolle një ambient të marrë me qira në pallatin luksoz që ndodhet përballë Kishës Ortodokse në qendër të kryeqytetit.
Kontrollet në objektin që ndodhet ngjitur me Gjykatën e Lartë, u bënë me qëllim gjetjen e materialeve apo sendeve të tjera me vlerë, lidhur me një hetim për mashtrim përmes call center-ave.
Aktualisht, në kuadër të këtij operacioni janë vënë në pranga 10 persona.
Ndërkaq, dy persona, pronarë të call center janë shpallur në kërkim. Deri më tani janë bastisur 6 ambiente.
Kontrollet kanë nisur prej mëngjesit të djeshëm në disa objekte, pas firmosjes së kërkesës së prokurorisë nga Gjykata e Posaçme.