Zbardhet vr*sja me lëndë eksplozive në Shkodër, arrestohen 4 persona. Shpërthimi u realizua me telekomandë

Kronike

Publikuar: 02/01/2026

Zbardhet vr*sja me lëndë eksplozive në Shkodër, arrestohen 4 persona. Shpërthimi u realizua me telekomandë

Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më datë 29 dhjetor në lagjen “Manush Alimani” në Shkodër, kur për pasojë u vra 67-vjeçari Hysni Ymeri.

Ngjarja ishte e mbuluar me mister, dhe në fillim u raportua si aksidentale për shkak të shpërthimit në matësin elektrik të pallatit ku ndodhi ngjarja e rëndë, por policia ka arritur në përfundimin se ka qenë vrasje.

Në pranga janë vënë 4 persona, të dyshuar si autorë të kësaj ngjarjeje: Gerti Bushati 27 vjeç, Ergys Ibrahimi 27 vjeç, Edison Hasaj 25 vjeç  dhe Gjergji Zefi, 24 vjeç.

Sipas policisë, katër të rinjtë janë paguar dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërthyer me eksploziv me telekomandim nga distanca panelin elektrik të pallatit ku banonte Hysni Ymeri.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat  “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim si dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Vijon puna për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje dhe dokumentimin e plotë të saj, si dhe sqarimin e motiveve.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, një sasi monetare në lekë dhe euro, një sasi lënde narkotike, një sasi lënde kokaine, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe 1 laptop.

Policia thotë se po punon për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.