Një investigim i Shqiptarja.com ka konfirmuar dyshimet e reflektuara në disa artikuj të Prapaskenës, Voxnews, Timoni.al dhe mediave të tjera që; Belind Këlliçi është zar, derivat apo fije e një prej linjave kryesore qeveritare, me qëllim përdorimin e tij si kamuflim për protestat e organizuara kundër inceneratorëve (projekt i qeverisë me shoqëri private), kundër biznesmenit Mirel Mërtiri, kundër Erion Veliajt si dhe kundër shembjes dhe ndërtimit të teatrit, projekt i Edi Ramës dhe Erion Veliajt bashkë.
Investigimi ekspozon komunikime tejet kompromentuese mes Belind Këlliçit të PD-së dhe drejtorëve të zëvëndëskryeministres Belinda Balluku, mes të cilëve edhe Arbër Avrami, i cili koordinohet dhe dyshohet se paguan Belind Këlliçin për të organizuar protesta kundër inceneratorit të Tiranës, Mirel Mërtirit dhe teatrit, duke shenjëstruar Erion Veliajn.
Faktet jo vetëm i japin fund Belind Këlliçit si një pupac i pushtetit në PD, por nxjerrin në pah politizimin e çështjeve të teatrit dhe inceneratorëve, kjo e fundit e kthyer më pas në gjueti shtrigash nga SPAK-u. Kujtojmë që në vitin 2020 deri në 2024, në fokus të protestave të organizuara nga drejtorët e Ballukut përmes Këlliçit ishin inceneratorët, sidomos inceneratori i Tiranës dhe çështja e teatrit kombëtar.
Investigimi i plotë i Shqiptarja.com
Ishte maji i vitit 2020 dhe kryetari i atëhershëm i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ishte një prej më aktivëve në protestat që bëheshin për Teatrin Kombëtar. Më 17 maj godinat e Teatrit Kombëtar u shembën për t’i hapur rrugë ndërtimit të teatrit të ri, ndërsa protestat të fokusuara kundër Bashkisë së Tiranës dhe me akuza të forta ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj vijuan edhe disa ditë më vonë.
Belind Këlliçi më 17 maj shoqërohet për në komisariat ndërsa pretendonte në atë kohë se ishte dhunuar edhe nga policia e shtetit. 5 vite e gjysmë më vonë, Report Tv ka zbuluar ekskluzivisht dokumente, që mund të vërtetojnë psenë e ‘devotshmërisë së pashoqe’ të Belind Këlliçit në protestat, kundër Ramës dhe Veliajt, në atë kohë.
Këto komunikime i përkasin datave 19 maj dhe 21 maj 2020. Janë siguruar nga screenshot të zbuluara në telefonat e drejtorëve nën varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të sekuestruar në kuadër të hetimeve ndaj ministres Belinda Balluku dhe disa vartësve të saj.
Mesazhet në këto dy screenshot shkëmbehen mes Belind Këlliçit dhe një personazhi tjetër Arbër Avramit. Në atë kohë Avrami ishte vartës i Belinda Ballukut pasi prej vitesh drejtoi kompaninë shtetërore të gazit, “Albgaz”, në varësi të Ministrisë së Energjisë. Arbër Avrami u riemërua edhe dy herë të tjera ngas Balluku në atë pozicion me mandat 3-vjeçar, 6 prill 2021 dhe më 15 prill 2024, për t’u larguar më pas shtatorin e 2024-s. Avrami konsiderohet si një prej njerëzve më të afërt të Belinda Balluku, ndërsa është raportuar kjo fotoja nga mediat më herët teksa shihet vetë kreu i “Albgaz” që shoqëron ministren teksa kryen blerje në dyqane luksoze në Athinë.

Të rikthehemi te mesazhet. Belind Këlliçi me këtë numër telefoni që përfundon me 011, që Report Tv e ka verifikuar që e posedon deputeti i PD, i shkruante Arbër Avramit 19 majin e vitit 2021: “Bëhem dhe unë të enjten. Si të doni”. Zyrtari i lartë, vartës i Ballukut i shkruante po atë ditë vetëm pak minuta më pas “mund të marrësh dhe ca protestues të enjten dhe të na bashkoheni”

Komunikimi vijon të enjten, pikërisht më 21 maj 2020. Nga komunikimi mes tyre duket se protesta është shtyrë. Arbër Avrami i shkruan Belind Këlliçit: “Atëherë nesër, nëse janë dakord të tjerët, të bëhen mbylljet totale”. Gatishmëria e Këlliçit ndaj drejtorit Avramit është 100%: Unë si të doni, sot e nesër.

Pra kreu i FRPD në atë kohë, një prej zyrtarëve më të lartë të opozitës, Belind Kellici, shprehet se është i gatshëm të marrë pjesë “sot e nesër”, duke lënë të hapur datën sipas nevojës së grupit.
Fakti është që më 22 maj 2020, të nesërmen e këtij komunikimi u organizua protesta e radhës kundër prishjes së Teatrit, e organizuar zyrtarisht nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Nën kamuflimin e ‘Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit’ u organizuan më pas edhe për vitet në vijim dhjetëra protesta para Bashkisë së Tiranës, me në krye Belind Këlliçin, që kërkonte arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Vetëm një muaj më parë, ishte vetë Sali Berisha që artikuloi publikisht se Belind Këlliçi u ndihmua nga zv. kryeministrja Belinda Balluku në protestat kundër Erion Veliajt para Bashkisë së Tiranës.
Deklarata e Berishës u bë nga selia blu, ku zv.kryeministren Balluku të pandehur për tunelin e Llogarasë, e quajti si hajduten më të madhe në histori, por tha se ndaj saj nuk do të bëjë protesta dhe flet për një luftë tjetër të brendshme, këtë radhë në kampin rozë.
Një detaj shumë i rëndësishëm për marrëdhënien mes Belind Këlliçit dhe vartësit të Belinda Ballukut, është fakti se Arbër Avrami kishte për një periudhë të gjatë kohe këshilltar të posaçëm vëllain e deputetit të Berishës, Reshard Këlliçi. Vëllai i Belind Këlliçit punoi në institucionin në varësi të Ballukut me një pagë prej 1.9 milionë lekësh të rinj.
Akuzat që protestat e Këlliçit para bashkisë janë financuar nga Balluku janë artikuluar edhe herë të tjera, madje edhe nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj në intervistat dhënë tek televizioni i familjes Berisha. Por është hera e parë që dalin fakte që lidhen stafin e Belinda Ballukut edhe me protestat e Teatrit, ndërkohë që në shënjestër të opozitës nuk ishte vetëm Erion Veliaj, por edhe Kryeministri, i cili sapo e kishte emëruar Belinda Ballukun ministre dhe pas dy vitesh i besoi rolin e zv.kryeministres së vendit.