Presidenti i Republikës nuk ka publikuar ende listën e kandidatëve për një post vakant në Gjykatën Kushtetuese, megjithëse afati ligjor është tejkaluar prej të paktën 3 ditësh.
Në 30 Tetor 2025, Kreu i Shtetit njoftoi shpalljen e procedurave për plotësimin e vendit vakant të krijuar në Kushtetuese, pasi trupa gjyqësore, me shumicë votash, vendosi të ndërpresë në mënyrë të parakohshme dhe të dyshimtë mandatin e koleges së tyre, Sonila Bejtja.
Në njoftimin e Presidencës thuhej se afati i paraqitjes së kërkesës me dokumentacionin e nevojshëm është brenda datës 30 nëntor 2025 dhe se “pas administrimit të dokumentacionit, lista e aplikuesve do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Institucionit të Presidentit të Republikës dhe në mjetet e informimit publik”.
Madje, Presidenca, për të treguar se aplikon nivel të lartë transparence me publikun, garantoi se lista e kandidatëve do t’i bëhej fillimisht me dije publikut dhe “më tej, dosjet respektive për secilin aplikues do t’i përcillen Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për vlerësim sipas Kushtetutës dhe ligjit”.
Megjithatë, transparenca e pretenduar e Bajram Begajt ka mbetur thjesht në nivelin deklarativ. Referuar afateve ligjore, si edhe vetë njoftimit të Presidencës, afati për dorëzimin e aplikimeve dhe publikimit të emrave të kandidatëve përfundonte në 30 nëntor 2025. Kjo datë ishte pushim zyrtar, në vijim të festave të nëntorit.
Kodi i Procedurave Administrative parashikon se, nëse dita e fundit e afati rastis pushim zyrtar, atëherë afati shtyhet në ditët e parë të punës. Kjo ditë, për procedurën e nisur nga Bajram Begaj përfundonte në 2 dhjetor.
Deri në publikimin e këtij shkrimi, Bajram Begaj nuk e ka publikuar listën e kandidatëve, megjithëse data shënon 4 dhjetor 2025./ Boldnews.al