I përfshirë në afera me Arjana Fullanin? Ivi Kaso me vilë dhe 6 pasuri të tjera të paluajtshme

Kryesore

Publikuar: 03/12/2025

I përfshirë në afera me Arjana Fullanin? Ivi Kaso me vilë dhe 6 pasuri të tjera të paluajtshme

Deputeti i PD-së, Ivi Kaso, i cili dyshohet se është përfshirë në përfitimin e një prone në mënyrë të dyshimtë në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet në bashkëpunim me ish anëtaren e Gjykatës së Lartë Arjana Fullani, deklaron 7 pasuri të paluajtshme. Kaso, ish-inspektor antikorrupsion i ish-kryeministrit Sali Berisha, përpos të tjerave, deklaron edhe një vilë me vlerë 280 mijë euro, ku posedon 33.3 %.

Ivi Kaso deklaron një apartament me sipërfaqe 70 m2, me vlerë 47 mijë euro. Deputeti i PD deklaron një tjetër apartament me sipërfaqe 138 m2 dhe me vlerë 88 mijë euro. Gjithashtu, Ivi Kaso deklaron apartament me sipërfaqe 121 m2 dhe me vlerë 140 mijë euro. Tek të tre shtëpitë, Kaso është pronar me 50 %.

Kaso deklaron edhe tre pasuri të paluajtshme të llojit pyje dhe kullota. Ndërkaq, nuk dihet nëse pasuria e Kasos reflekton edhe përfitimin e pronës në mënyrë të dyshimtë në zonën e ish-Bllokut.

Ndërtesa, e cila ishte e paligjshme, u prish nga Policia Bashkiake e Tiranës në vitin 2010, ndërsa përfituesit e kësaj sipërfaqe toke, afërsisht 200 metra katror, e kanë legalizuar atë sikur të ishte ndërtesë në bazë të një vetëdeklarimi në Drejtorinë e ALUIZNI-t në shkurt të vitit 2013, afërsisht 2 vjet pasi ndërtesa nuk ekzistonte.

Sipas origjinës së pronës së përfituar, në vendin ku më parë ka qenë restorant “Berlini”, është legalizuar një sipërfaqe ndërtimi 200 metra katror, për shkak të supozimit se ka ekzistuar një ndërtesë 190 metra katrorë.

Pas kësaj, në Hipotekë shfaqet si pronare jo personi që ka vetëdeklaruar legalizimin, por Arjana Fullani, Ivi Kaso dhe një qytetare tjetër, jo person publik. Të tre poseduesit e rinj të pronës kanë bërë bashkimin e pasurisë dhe rezultojnë pronarë të saj.

Vetëdeklarimi për legalizim në mënyrë të paligjshme, është bërë nën garancitë e një personi që mbulonte zyrën antikorrupsion të Berishës, dhe një gjykatëseje të Gjykatës së Lartë. Edhe hipotekimi është bërë në kohë rekord.