Vrasja e Mondi Mëhallës: Njëri nga autorët i dënuar për prostitucion në Itali! Në qershor iu sekuestruan 14 pasuri

Kronike

Publikuar: 02/12/2025

Vrasja e Mondi Mëhallës: Njëri nga autorët i dënuar për prostitucion në Itali! Në qershor iu sekuestruan 14 pasuri

Marselo Arani, i shpallur në kërkim nga policia si një nga autorët e vrasjes së biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan, është një emër i njohur për autoritetet.

32-vjeçari ishte në arrest shtëpie për pastrim parash, ndërkohë që në muajin qershor, Prokuroria e Elbasanit i sekuestroi 14 pasuri në pronësi të tij.

Arani rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë në Itali, për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit. Gjatë hetimeve është provuar se ai ka kryer veprimtari kriminale në territorin italian.

Ngjarja e rëndë u shënua mbrëmjen e së dielës kur biznesmeni Mondi Mëhalla sapo kishte dalë nga një zyrë në karburantin në pronësi të tij “Xhaxhi Oil” dhe hyrë në makinën tip “Range Rover”. Ai u qëllua tre herë me plumba pistolete, dy prej të cilëve e kapën në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Njëri nga autorët ka dalë nga makina tip “Audi”, është afruar dhe e ka qëlluar. Dy autorët u larguan më pas drejt Librazhdit, ku edhe dogjën automjetin në fshatin Mirakë. Brenda mjetit, që u gjet e djegur paraditen e djeshme, u gjet edhe një pistoletë Beretta e përdorur në krim. 

43-vjeçari nuk ishte person i panjohur për policinë, me precedentë për narkotikë dhe armëmbajtje pa leje. Ai jetonte në Tiranë në zonën e Komunës së Parisit, ndërsa kishte shtrirë prej vitesh aktivitetet e tij të biznesit në Elbasan.